Pas ngritjes së çmimeve të prodhimit si dhe atyre të importit, ngritje çmimesh ka shënuar edhe sektori i ndërtimit në Kosovë në tremujorin e tretë të këtij viti, përcjell Buletini Ekonomik.
Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ku shpalosen shifra nga “Indeksi i Kostos së Ndërtimit (IKN), TM3 2021” thuhet se indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë pati rritje për 3.3 për qind në tremujorin e tretë (TM3) të këtij viti krahasuar me tremujorin e dytë (TM2) të po të njëjtit vit.
Me përqindjen më të lartë të rritjes së çmimit ishte energjia që shpenzohet në këtë sektor, e cila pati rritje për 13.4 për qind, pasuar nga transporti me 6.7 për qind, materialet të cilat u rritën për 3.6 për qind, kostot e tjera shënuan rritje për 1.6 për qind, makineritë me 0.9 për qind si dhe pagat e punëtorëve me rreth 0.8 për qind.
Tutje, raporti poashtu thekson se duke krahasuar tremujorin e tretë të vitit 2021 (korrik, gusht, shtator) me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2020), del se Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 15.2 për qind.
Në ngritjen e indeksit, në këtë krahasim, konstatohet se materialet kryesonin me një rritje prej 20.5 për qind, energjia me 17 për qind, ndërsa me rritje më të ulët ishin kategoritë si kostot e tjera me 4.3 për qind, makineritë me 3.4 për qind si dhe pagat me 2.3 për qind.
E ngritja e çmimeve mes këtyre peridhave, u neutralizua kryesisht me uljen e çmimeve te transporti, i cili pati një rënie prej -2.8 për qind. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/