Administrata Tatimore e Kosovës përmes një konference për media sot ka njoftuar se ka pasur të hyra vjetore prej 591.4 milionë euro, dhe se tejkalimi i planit të të hyrave është për 35.4 milionë apo 6.4 për qind më shumë.
Rritje të të hyrave në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020 ka pasur për 124.3 milionë, ndërsa në raport me 2019 për 87.1 milionë.
Gjithashtu, ATK-ja ka njoftuar se inkasimi i borxheve në total është në vlerën e 130.9 milionë.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se përveç mbështetjes së Qeverisë, në vazhdimësi kanë pranuar kërkesën e vetme që të vazhdojnë ta zbatojnë Ligjin njëtrajtshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kjo është përgjegjësi shtesë kur ke vetëm një kërkesë, që ta zbatosh ligjin. ATK-ja ka kaluar në sfida të mëdha, ndoshta me nuanca më të zbehta se viti i kaluar, për shkak të pandemisë. Megjithatë si institucion jemi angazhuar fuqishëm që krahas reformave të vazhdojmë edhe në arritjen e objektivave dhe tejkalimin e atyre që janë paraparë nga Qeveria e Kosovës. Krahas aktiviteteve ne kemi vazhduar edhe me ofrimin e lehtësirave për tatim paguesit, ku së fundmi janë finalizuar tri shërbime elektronike. Me finalizimin e tyre kemi një përmbyllje të ciklit të shërbimeve elektronike ndaj tatimpaguesve”, ka shtuar Murtezaj.