Për shkak të bilancit tregtar negativ që ka Kosova, çmimet e importit vazhdojnë ta kenë peshën e tyre kryesore në ngritjen e çmimeve të produkteve.
Vetëm në tremujorin e tretë të këtij vitit rritja e çmimit të produkteve të importit ishte për 6.8 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë (TM2) të 2021-s.
Raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) me titull “ Indeksi i Çmimeve të Importit për tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2021” tregon se ngritja më e madhe e çmimeve është vërejtur tek sektori i metaleve bazë dhe artikujve të metaleve bazë të cilat u rritën për 33.5 për qind, duke pasuar më pas me produktet minerale të cilat patën një rritje prej 12.9 për qind.
Më pas, një rritje më e lehtë e çmimeve ishte konstatuar edhe për artikujt e gurit, llaçit, produkteve të qeramikës dhe të qelqit prej 4.8 për qind, përfshirë këtu edhe produktet e shtazëve të cilat u rritën për 4.4 për qind.
Ndërsa artikujt e drurit gjatë kësaj periudhe shënuan rritje prej 3.9 për qind, gjithashtu plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre me 3.5 për qind, ndërkohë që mjetet e transportit u rritën për 3 për qind.
Gjithashtu, çmimet e pajisjeve dhe makinerisë dhe pajisjet elektrike u ngritën 2.2 për qind, kurse çmimet e tekstilit dhe artikujve të tij patën rritje prej 1.6 për qind, duke vazhduar më pas edhe artikujt ushqimorë të përgatitur, si pijet dhe duhani me 1.5 për qind, produktet e industrive kimike dhe vajrat ushqyese me 1.3 për qind, instrumentet optike, fotografike, matëse, mjekësore dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës prej 1.1 për qind si dhe këpucët me 0.3 për qind.
Megjithatë, kjo ngritje e çmimeve, sipas ASK-së, u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve në sektorin e lëkurës dhe artikujve prej saj me -1.1 për qind, nga produktet bimore me -1.0 për qind, nga letrat dhe artikujt prej saj që patën rënie prej -0.9 për qind si dhe nga çmimet në artikujt e ndryshëm të prodhuar që ranë për -0.7 për qind. Ndërkaq, nëse e krahasojmë periudhën e tremujorit të tretë (TM3) të vitit 2021 më atë paraprak, pra vitin 2020, kuptojmë se çmimet e importit në TM3 2021 patën një ngritje, në një mesatare prej 14.7 për qind në raport me peridhën e njëjtë të 2020-s.
Ngritje më të mëdha çmimesh, në këtë krahasim vitesh, pati në sektorin e metaleve bazë dhe artikujt prej tyre me 56.9 pqr qind, pasuar nga produktet minerale me 35.8 për qind, më pas plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre me një rritje prej 19.9 për qind, tutje vajrat ushqyese me 13.8 për qind, përfshirë këtu edhe instrumentet optike, fotografike, matëse, mjekësore dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës të cilat u rritën për 13.5 për qind gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, një rritje më të lehtë pësuan sektori i produkteve të shtazëve që pati rritje prej 11.5 për qind, artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit me 11.4 për qind, produktet bimore me 9.9 për qind si dhe druri dhe artikujt e tij me 8.9 për qind.
Kurse pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike shënuan poashtu rritje prej 4.0 për qind, përfshirë edhe mjetet e transportit me një rritje prej 3.9 për qind, produktet e industrive kimike me 3.9 për qind, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 2.1 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 1.6 për qind si dhe lëkura dhe artikujt prej saj me rritje prej 0.9 për qind. Mirëpo, kjo ngritje në këtë raport, nga ASK-ja thonë se u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve në sektorin e letrës dhe artikujt e saj me -3.6 për qind, atyre të këpucëve me – 3.0 për qind si dhe tekstili dhe artikujt e tij me -1.6 për qind. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/