Deficiti tregtar i Kosovës gjatë 2021-ës, 361 milionë euro

Fotografi ilustruese

Prishtinë, dhjetor – Sado që në Kosovë, në muajin nëntor të vitit 2021, kanë shënuar rritje eksporti dhe importi, për shkak të shifrave ndjeshëm më të mëdha të importit karshi eksportit, mbetet akoma shumë i madh deficiti tregtar në vend.

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) “Tregtia e jashtme e mallrave nëntor 2021” shpalosen rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor të këtij viti.

Sipas të dhënave të këtij raporti, del se nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë, deficiti tregtar gjatë nëntorit të vitit 2021 u rrit për 38.9 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (2020), gjegjësisht në vlerë prej 361.1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 259.9 milionë euro sa ishte në vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

Eksporti edhe në nëntor mbulon importin vetëm me 16.4 për qind, edhe pse shënoi rritje të madhe krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Saktësisht, sipas të dhënave të ASK-së, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, eksporti i mallrave në vend gjatë nëntorit është rritur për 54.4 për qind, ndërkaq importi ishte rritur për 41.2 për qind.

Të përkthyera në para, i bie që në muajin nëntor të 2021-ës eksporti kishte arritur vlerën 70.6 milionë euro, ndërsa importi u ngrit në 431.8 milionë euro.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, shihet qartazi se një rritje prej 26.6 për qind ose në vlerë prej 18 mijë e 815 euro në këtë grup e shënuan metalet bazë dhe artikujt të ndryshëm që burojnë prej tyre, të cilët poashtu u rritën për 23.9 për qind, ose në vlerë prej 16 mijë e 917 euro.

Ndërkohë, me 12.5 për qind ose me 8 mijë e 820 euro u ngrit eksporti i prodhimeve nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre, ndërsa me 8.9 për qind ose 6 mijë e 305 euro shënoi rritje sektori i ushqimeve të përgatitura, pijeve dhe duhanit.

Edhe produktet minerale gjatë kësaj periudhe shënuan një rritje prej 6.2 për qind ose në vlerë prej 4 mijë e 415 euro dhe produktet bimore të cilat u rritën për 3.9 për qind ose me një vlerë prej 2 mijë e 728 euro. Me 3 për qind, ose në vlerë prej 2 mijë e 91 euro pati rritje në sektorin e makinerisë, pajisjeve mekanike dhe elektrike.

Ndërkohë, sa i përket importit në nëntor të vitit 2021, grupet të cilat shënuan rritje ishin produktet minerale me 14.1 për qind, ose në një shumë prej 61 mijë e 80 euro, pasuar nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike që u ngritën për 13.7 për qind ose që prekën shumën prej 59 mijë e 60 euro.

Edhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre patën një rritje prej 13.5 për qind ose në vlerë prej 58 mijë e 381 euro, ndërkohë që me 11.5 për qind ose prej 49 mijë e 745 euro u rritën ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani. Ndërkaq, produktet nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre u rritën për 7.7 për qind ose në vlerë prej 33 mijë e 225 euro si dhe mjetet e transportit që u rritën për 7.7 për qind, ose në shumë prej 33 mijë e 253 euro. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/