Gazsjellësi Yamal që furnizon me gaz Evropën Perëndimore, po e kthen tashmë atë mbrapsht drejt Polonisë për të gjashtën ditë me radhë. Njoftimin e bëri operatori gjerman i rrjetit të furnizimit GasCade.
Matjet tregojnë se lëvizja e gazit në tubacion, e matur në pikën Mallnow në kufirin Gjermani-Poloni, po ndodhte drejt lindjes, në territorin polak, me një volum prej 1.2 milion kilowatt në orë. Të dhënat gjithashtu tregojnë se kompania ruse e eksportimit të gazit Gazprom, nuk kishte rezervuar kapacitetin për transitin e eksportit nëpërmjet tubacionit Yamal-Evropë.
Kompania gjermane GasCade, e cila merr gazin rus dhe e transporton atë brenda Gjermanisë, është në pronësi të kompanisë WIGA, një sipërmarrje e përbashkët e Gazpromit dhe kompanisë Wintershall DEA. Kjo e fundit është në bashkëpronësi të grupit gjerman të kimikateve BASF dhe atij rus LetterOne.
Rusia tha këtë javë se kthimi mbrapsht i gazit në tubacione nuk ishte një lëvizje politike, megjithëse përkon me rritjen e tensioneve ndërmjet Moskës dhe Perëndimit mbi Ukrainën dhe ka rritur çmimet në nivele rekord.
Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur se Gjermania po ia rishet gazin rus Polonisë dhe Ukrainës, në vend që të lehtësojë tregun me çmime tepër të larta. Ai fajësoi importuesit gjermanë të gazit për kthimin mbrapsht të gazit dhe për çmimet stratosferike.
Ministria gjermane e Ekonomisë ka refuzuar të komentojë akuzat e Putinit. Kompanitë importuese të gazit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të bëra nga Reuters.
Të dhënat e operatorit sllovak të gazsjellësit Eustream tregojnë se kapaciteti i rrjedhës së gazit rus nga Ukraina drejt Sllovakisë, përmes pikës kufitare Velke Kapusany, ishin në 739,826 MegaWatt në orë, pak më poshtë se ditën e shtunë dhe shumë më pak se niveli i javëve të fundit.
Kjo rënie po balancohet me rritjen e dërgimit të gazit nga Republika Çeke drejt Sllovakisë, çka do të thotë se rrjedha nga Sllovakia drejt pikës austriake Baumgarten, vazhdon të jetë relativisht e qëndrueshme, krahasuar me nivelin e ditëve dhe javëve të fundit.