Një rreze shprese sa i përket perspektivës dhe ardhmërisë së minierës së Artanës ka ngjallur zbulimi i një minerali të kushtueshëm, atraktiv në treg dhe në disa lëmi të ndryshme industriale. Është fjala për mineralin e Hallojzitit, të zbuluar vite më herët në horizontet e Artanës. Për këtë mineral interesim të madh kanë shprehur gjermanët dhe, siç kanë thënë ata, janë në pritje për të investuar në eksploatimin e këtij minerali.
Buletini Ekonomik
Miniera e Artanës, ndër më të mëdhat për nga sipërfaqja, në kuadër të kompleksit të minierave Kishnicë, Hajvali, Badovc dhe Artanë, është e vetmja që funksionon pjesërisht. Pra, Artana punon vetëm në dy horizonte, ose në horizontet 4 dhe 5, ndërsa horizontet 6,7,8 dhe nëntë janë të përmbytura nga ujërat. Horizontet e fillimit, ose 1, 2, dhe 3, nuk janë në funksion për shkak se në to më herët ka përfunduar shfrytëzimi i thuaja rezervave të tëra të xehes ekzistuese.
Edhe horizontet e Artanës, të përmbytura nga uji, ka pasur mundësi të shpëtohen, po të ekzistonin pompat për pompimin e ujit dhe po të ekzistonte vullneti i vendimmarrësve për këtë, thonë ish-xehetarë dhe inxhinierë të kësaj miniere, për çka gjërësisht në disa raste ka shkruar Buletini Ekonomik. Miniera e Artanës është më e pasura me rezerva të xeheve të plumbit dhe zinkut në kompleksin e minierave të Kishnicës.
Rreth 7 milionë tonë janë rezervat e konstatuara me plumb e zink në Artanë. Tani është e ditur se ka pak rezerva xeheje të plumbit dhe zinkut sipër horizontit të gjashtë, ndërsa rezervat në horizontet e poshtme nga i gjashti deri te i nënti janë të përmbytura nga uji. Në Artanë aktualisht janë të angazhuar gjithsej 126 punëtorë. Në këtë numër hyjnë xehetarët, punëtorët e administratës dhe ata të sigurimit, të cilët realisht janë të kapluar nga frika për fatin e tyre. Çdo bëhet me ta? A do të vazhdojë puna në Minierë, që do të thotë a do të ketë punë më për ta.
Dhe, një rreze shprese sa i përket perspektivës dhe ardhmërisë së Artanës ka ngjallur zbulimi i një minerali të kushtueshëm, atraktiv në treg dhe në disa lëmi të ndryshme industriale, sidomos në nano-industri dhe në kozmetikë, por edhe në disa lëmi të tjera. Është fjala për metalin e Hallojzitit, të zbuluar vite më herët në horizontet e Artanës, që ka ngjyrë të bardhë dhe është fare i butë.
Për këtë mineral interesim të madh kanë shprehur gjermanët dhe, siç kanë thënë ata, janë në pritje për të investuar në eksploatimin e këtij minerali. Kërkesat gjermane, që janë shumë serioze, siç thotë drejtori i Njësive bisnesore Kishnicë-Artanë, Bislim Fetahu, janë dorëzuar në ministrinë përkatëse të Kosovës, dhe ato janë diku nëpër sirtarët e ministrisë, por dikush i ka shmangur qëllimisht.
Sipas përllogaritjeve të para, vlerësohet se vendburimi i zbuluar në Artanë ka diku rreth 2,5 milionë deri në 3 milionë tonelata rezerva të xeherorit hallojzit. Drejtori mendon se këto rezerva janë shumë herë më të mëdha, dhe ato e bëjnë perspektivën e Artanës shpresëdhënëse.
Pos gjermanëve, që kanë shprehur sheshit interesimin dhe kanë marrë mostra të shumta të hallojzitit, pas luftës janë paraqitur dhe kanë shfaqur interesim edhe kompani të tjera të shumta. Janë marrë jo pak mostra, por ende ndonjë kërkesë konkrete nuk ka ardhur në Artanë. Gjermania, në nivel ministrie dhe nëpërmjet GIZ-it ka financuar gjithë projektin për të studiuar dhe analizuar mineralin e hallojzitit të Artanës. Dr. J. Schomburg, një ekspert i specializuar për xeherorin hallojzitit, në bashkëpunim me stafin menaxhues të Trepçës dhe të Kishnicës kanë marrë mostra në Minierën e Artanës, të cilat janë dërguar për analiza të detajizuara në DURTEC GmbH. Duhet thënë se të gjitha procedurat janë udhëhequr nga profesori Schomburg.
Nga rezultatet e analizave komplese (në Kishnicë i kanë të gjitha këto analiza) del se Hallojziti i Artanës është me cilësi të lartë. Nga analizat rezulton se mesatarja e përbërjes së hallojzitit është 95 për qind, i pastërt. Nga një tonelatë mineral hallojziti janë fituar 800 kilogramë produkt i pastërt i mineralit. Prandaj, në kompleksin e minierave Kishnicë, Hajvali, Badovc dhe Artanë, vlerësojnë se duhet urgjentisht të bëhen përgatitje për investime në hulumtim të mëtejshëm dhe për përgatitje të infrastrukturës, që krahas shfrytëzimit të mineralizimeve të plumb-zinkut të fillohet me shfrytëzimin e mineralit të hallojzitit./Buletini Ekonomik