Hykolli: Paga minimale duhet të rritet në 350 euro

Organizatat sindikale insistojnë që paga minimale të jetë 350 euro. Kështu tha për Radio Kosovën kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Atdhe Hykolli, i cili shtoi se paga minimale duhet negociuar çdo fundvit derisa bëri të ditur se kjo pagë nuk ka lëvizur që nga viti 2011. Agim Shahini, nga AKB, thotë se Këshilli Ekonomiko Sociale do të mblidhet së shpejti për të diskutuar me qeverinë për shumen e pagës minimale.

Paga minimale në Kosove nuk është ndryshuar që nga viti 2011 dhe kjo po konsiderohet jo ligjore për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe të gjithë partnerët socialë. Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i tha Radio Kosovës se paga minimale duhet të rritet në 350 euro.

“Kemi ardhur në përfundim se paga minimale, për të zbutur sadopak situatën, duhet të ishte 350 euro, por prapë kjo negociohet me Këshillin Ekonomiko Social dhe partnerët socialë, dhe duhet sa më shpejt të ulemi t’ia rekomandojmë qeverisë rritjen për pagën minimale.”
Ai tha se për këtë janë takuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, me të cilin janë dakorduar që të fillojë punën Këshilli Ekonomiko Social dhe më pastaj të bisedohet për pagën minimale.

Reklama e sponzorizuar

“Jemi marrë vesh që të fillojë punën Këshilli Ekonomiko Social dhe të bisedohet fillimisht që është shumë e rëndësishme paga minimale. Zakonisht paga minimale negociohet çdo fund vit për ta pasur të gatshme për vitin paraprak që vjen. Te ne paga minimale është negociuar në vitin 2011 dhe është shumë diskriminuese, për arsye se është 170 euro për mbi moshën 30 vjeçare dhe 130 nën moshën 30 vjeçare”.

Hykolli nuk e tregoi datën por tha se së shpejti do t’ia rekomandojnë rritjen për pagën minimale qeverisë dhe sipas tij, me ligj çdo fund vit duhet të negociohet kjo pagë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se Këshilli Ekonomiko Social nuk ka funksionuar për shkak të mungesës së gatishmërisë së qeverisë për një punë të tillë.

Ai tha se bashkë me AKB, BSPK dhe Oden Ekonomike, kanë mbajtur takimin e parë pas një vit e gjysmë për të konsoliduar Këshillin Ekonomiko Social .

“Paga minimale në vend është miratuar në vitin 2017 prej një vlere 250 euro, por kjo asnjëherë  nuk është realizuar. Prandaj, në ditët në vijim së shpejti Këshilli Ekonomiko Social do të mblidhet, kemi ftuar edhe qeverinë dhe shpresojmë të marrin pjesë për të diskutuar për këtë çështje që ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve”, tha Shahini.

Më herët kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë pati premtuar  se paga minimale do të ngritët në 250 euro.

“Përmes ngritjes së pagës  minimale në 250 euro për 40 orë punë në javë, dhe ngritje të pragut të pagës që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata që kanë paga të ulëta të kenë më shumë para në xhep”, është shprehur kryeministri Kurti.

Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka pagën minimale më të ulët, prej 170 eurosh. Sipas Zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat), për të cilën mungojnë të dhënat për Kosovën, jo larg këtij niveli të pagës qëndron edhe Mali i Zi, ku një punëtor nuk duhet të paguhet më pak se 193 euro, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 203 euro, si dhe Bosnja e Hercegovina me 208 euro. Në Shqipëri ky nivel i pagës është 211 euro, ndërsa në Serbi është 231 euro./RTK/