IFC mbështet rritjen e kreditimit mikrofinanciar në Kosovë për të mbështetur agrobiznesin dhe për të krijuar vende të punës

Prishtinë, Kosovë- Mikro-ndërmarrjet, agrobizneset dhe fermerët e vegjël, duke përfshirë kompanitë në pronësi të grave në Kosovë, do të kenë qasje të përmirësuar në financim me një investim të IFC-së në tri institucionet mikrofinanciare (IMF). Kjo do të ndihmojë në ngritjen e konkurrueshmëris në sektorin agrofinanciar, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e jetesës dhe ngritjen e sigurisë ushqimore në vend.

IFC, së bashku me Dritaren e Sektorit Privat të Programit Global të Bujqësisë dhe Ushqimit  (GAFSP), ka aprovuar kredi prej 8 milionë euro për KEP Trust-in (KEP), Kreditimin Rural të Kosovës (KRK) dhe Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK). Duke adresuar mungesën për financim me të cilin ballafaqohen agrobizneset e vogla dhe fermerët, fondet e kredisë do të përdoren për huadhënien e mëtejme të ndërmarrësve individual dhe mikrobizneseve në Kosovë prej së cilave të paktën 50 për qind të dedikuar për agrobizneset.

Mbi 60 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në zonat rurale dhe janë të varur nga bujqësia.  Bujqësia është njëri nga kontribuesit kryesor në ekonominë e Kosovës, duke zënë rreth 8 për qind të bruto produktit vendor (BPV), 18 për qind të eksporteve dhe rreth 30 për qind të punësimit. Megjithatë, sektori është i nënshërbyer nga bankat, duke limituar rritjen e bizneseve të vogla dhe fermerëve.

Reklama e sponzorizuar

“Kredia e IFC-së do t’u ofrohet mikro-ndërmarrjeve vendore, të vogla dhe të mesme, veçanërisht duke pasur qëllim financimin e investimeve të cilat do ta ngrisin konkurrueshmërin e MNVM-ve në tregjet vendore dhe ato rajonale”, ka cekur Lulzim Sadrija, Kryeshef Ekzekutiv i KRK-së.

“Kredia e IFC-së dhe GAFSP-së do të rrisë ndjeshëm kapacitetin tonë kreditues për grupin tonë specifik të klientëve në Kosovë”, u shpreh Shpend Nura, Kryeshef Ekzekutiv i KEP-it, dhe shtoi: “Zhvillimi i bujqësisë është i një rëndësie të madhe, prandaj një pjesë e madhe e portofolit tonë i dedikohet mikro-ndërmarrjeve dhe atyre të vogla në agrobiznes dhe bujqësi”.

Financimi nga IFC dhe GAFSP-së përfshin kreditë afatgjata – 4 milionë euro për KEP-in, 3 milionë euro për KRK-në dhe 1 milionë euro për AFK-në. Meqenëse IMF-të në Kosovë kanë qasje të kufizuar në fonde, mbështetja e IFC-së do të frymëzojë besimin në mesin e kredidhënësve të tjerë, në veçanti të bankave private, duke i shtyrë ato që të ofrojnë financim për industrinë mikrofinanciare.

“Me mbështetjen e vazhdueshme financiare nga IFC-ja, AFK-ja ka arritur tek një numër më i madh i fermerëve të vegjël pa mbështetje financiare në Kosovë, duke u ofruar qasje të qëndrueshme në mikro-kredi”, tha Vahdet Anadolli, Kryeshef Ekzekutiv i AFK-së.

“Në mes të pandemisë me COVID-19, një nga prioritetet strategjike të IFC-së në Kosovë është që të ndihmojë në përmirësimin e qasjes tek kreditë për MNVM-të, veçanërisht segmenteve më të ndjeshme dhe të nënshërbyera, duke përfshirë kompanitë në pronësi të grave dhe agrobizneset,” ka cekur Ary Naïm, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Që të tri IMF-të të cilat ofrojnë financim për sektorin e agrobiznesit në Evropën Juglindore janë partnerë afatgjatë të IFC-së dhe GAFSP-së.

Rreth  IFC-së

IFC – anëtar i Grupit të Bankës Botërore – është institucioni më i madh i zhvillimit global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2021, IFC zotoi një shumë rekorde prej 31.5 miliardë dollarë për kompanitë private dhe institucionet financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët ndërsa ekonomitë përballen me ndikimet e pandemisë COVID-19. Për më shumë informacion, vizitoni www.ifc.org.