Shtrenjtimi i fortë i çmimeve kanë rritur ndjeshëm inflacionin në nëntor duke tejkaluar edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT, norma e inflacionit muajin e kaluar arriti në 3.1%, niveli më i lartë në 10 vjet duke kapërcyer edhe parashikimin e bankës qendrore prej 3%.
Shtrenjtim kanë parë thuajse të gjitha grupet, ku rritja më e fortë e çmimeve që ka ndikuar më shumë inflacionin është vërejtur te produktet e shportës për ushqime e pije, ku shqiptarët çojnë edhe pjesën kryesore të buxheteve të tyre familjare.
Edhe transporti ka shënuar rritje të konsiderueshme prej shtrenjtimit të vazhdueshëm të karburanteve, kryesisht çmimit të naftës që prej kohësh tregtohet për 185 lekë litri, por edhe produkteve të tjera si benzina e gazi që përdoren për transport.
Rritja e çmimeve është reflektuar edhe në pagesat e qirasë, ujit e energjisë elektrike, teksa edhe mobilimi dhe arredimi i shtëpive sa vjen e bëhet më i kushtueshëm për qytetarët.
Ndërkohë kostot janë rritur edhe për të shkuar në kafene e restorante pasi shtrenjtimi i kafesë e produkteve të tjera ka vijuar shtrenjtimin edhe përgjatë nëntorit, si rrjedhojë e rritjes së çmimit të lëndëve të para në tregjet e huaja.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo valë e rritjeve të çmimeve që do të vazhdojnë të japin ndikim në inflacion është e përkohshme, teksa thekson se nëse do të jetë e nevojshme mund të ndërhyjë në kahun e politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend. /Top Channel/