Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se mori mbi 1 milion euro

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari bashkë me prokurorin e çështjes Rasim Maloku, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, kanë dhënë detaje për aksionin e zhvilluar sot në komunën e Shtërpcës. Në konferencë u tha se nga ky aksion janë vënë në pranga 10 persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera si: dollarë, franga zvicërane, lekë etj. Përveç kësaj në konferencë u bë e ditur se janë sekuestruar edhe 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri, telefona, aparate për prodhimin e kriptovalutave etj.

Në mesin e 10 të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.

Për Nikolliq, prokurori i rastit Rasim Maloku tha se ka dyshime se ish-kryetari i Shtërpcës ka përfituar mbi 1 milion euro.

Reklama e sponzorizuar

“Dyshimet konsistojnë në vlera që kalojnë vlerat milionëshe…Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milionë euro, disa villa që janë përfitu si dhurata, vetura që janë dhënë si dhurata për lëshimin e lejeve”, tha ai, transmeton Express.

Prokurori tha se ka dyshime për ndërtimin e villave pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë.

“Dyshohet se ka villa pa leje, por shumica e villave janë ndërtu në mënyrë të kundërligjshme”, u shpreh ai tutje.

“Disa zyrtarë kanë marrë dhurata/ para, për të ushtruar ndikim te zyrtarët për të lëshuar leje për villa”, përfundoi ai.

Gjithashtu prokurori Maloku paralajmëroi se ky aksion nuk do të jetë i fundit.