Pas protestës së punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, menaxhmenti i kësaj KEK-ut thotë se ka kërkuar nga kryesia e Sindikatës së re të KEK-ut, mirëkuptim dhe kohë, me qëllim të trajtimit të kërkesave të drejta dhe valide para paralajmërimit të protestës, por një gjë e tillë është refuzuar.
Përkundër këtij fakti, menaxhmenti nëpërmejt një komunikate thotë se mbetet i hapur për të takuar kryesitë e sindikatave në periudha të rregullta, në afate të caktuara për t’i trajtuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet të vlerësuara si të rëndësishme dhe të drejta.
Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, me datë 27 dhjetor ka takuar .përfaqësuesit e Sindikatës e re të KEK (SR-KEK), ku janë diskutuar të gjitha çështjet me prioritet të ngritura nga SR-KEK si çështja e mungesës së punëtorëve në KEK, moshës së lartë mesatare të tyre etj.
“KEK e ka marrë seriozisht këtë problem dhe së bashku bordin dhe me menaxhmentin e KEK-ut do të mundohen që ta adresojnë në mënyrë rrënjësore, të planifikuar e sistematike (e jo me improvizime afatshkurtra), si një nga sfidat kryesore te korporatës. Mirëpo kjo çështje është kompetencë e menaxhmentit dhe Bordit të KEK. Në takimin me SR KEK, jemi pajtuar të mbajmë takime të rregullta dhe atë çdo tre muaj ku takimi i radhës është caktuar me datë 18.01.2022. Përkundër pajtimit, vetëm një javë nga takimi i parë, SR-KEK me datë 05.11.2021, ka kërkuar takim tjetër me Menaxhmentin duke përshirë kërkesa veç se të trajtuara në takimin e mëparshëm”, thuhet në një komunikatë ku edhe kanë dhënë përgjigje për secilën kërkesë të punëtorëve.
Kërkesa për bonus – paga e 13-të
Bonusi/ paga e 13-të apo çfarëdo kompensimi shtesë mbi kompensimet e rregullta është vlerësim dhe kompetencë eksklusive e Bordit të Drejtorëve i cili vlerësim bëhet vetëm pas certifikimit të rezultateve financiare të Korporatës dhe nuk është pjesë e pazareve me sindikatën. Për më tepër KEK sh.a. aktualisht nuk ka Bord të Drejtorëve.
Sigurimi shëndetësor
Kjo kërkesë ishte valide dhe e drejtë sepse punëtorëve iu ishte kompenzuar vetëm 25% të përfitimeve të disa nga shërbimeve si ato dentare, optike etj. Ky problem tanimë është adresuar nga Menaxhmenti dhe nga data 01.12.2021 të gjithë të punësuarit janë të siguruar me kontratën për shërbimet e sigurimit shëndetësor me përfitime të plota një vjeçare.
Zbatimi i Marrëveshjes Kolektive – Sektoriale.
Siç edhe është dëshmuar me Aktgjykime nga Gjykatat e instancave të larta, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk është në fuqi prej datës 31.12.2017 dhe KEK Sh.A nuk mund të zbatoj një marrëveshje të skaduar. Menaxhmenti i KEK Sh.A. është i gatshëm të jap kontributin e nevojshëm për një Marrëveshje Kolektive Sektoriale në rast se fillohet një iniciativë e tillë për gjithë sektorin.
Sigurimi i pajisjeve personale mbrojtëse për punëtorë si dhe mjetet higjienike
Këtë kërkesë, menaxhmenti i KEK-ut që në fillim e ka vlerësuar si të drejtë dhe valide. Bazuar në këtë janë filluar procedurat për sigurimin e pajisjeve personale mbrojtëse dhe do mundohemi që brenda muajit dhjetor të këtij vitit këtë çështje ta adresojmë.
Kushtet e punës për të punësuarit e KEK Sh.A.
Është fakt se pagat në KEK janë më të lartat në sektorin publik në Republikën e Kosovës. Megjithatë, menaxhmenti i KEK ka parasysh faktin se punëtorët e KEK të angazhuar ne procesin e prodhimit të qymyrit dhe të energjisë elektrike, punojnë në kushte specifike sektoriale.
KEK së shpejti do të fillojë procedurat me qëllim të vlerësimit të secilit vend të punës për sa i përket rrezikshmërisë – kushteve të punës. Pasi të përfundojë ky proces dhe të kemi një vlerësim real të vendeve me rrezikshmëri të shtuar do të përmbushim obligimet për këtë kategori të punëtorëve tanë, thuhet në komunikatë.