Ndërmarrja Termokos njoftoi më herët se ka ndërprerë furnizimin me ngrohje për konsumatorët e saj.
Sipas tyre, ndërprerja me ngrohje është bërë për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës. Kjo e fundit ka reaguar duke thënë se, sipas planeve njësia B1 pritet të kthehet në prodhim nesër në mëngjes, kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se aktualisht në termocentralin ‘Kosova A’ kemi një gjendje stabile, ku në punë janë të tri njësitë aktive (A3, A4 dhe A5) që prodhojnë rreth 390 MW/h. Ndërsa, në ‘Kosova B’, deri në mesnate sot ishte në punë njësia B1. Sido që të jetë, për shkak të një rrjedhje ne kaldajën e njësinë B1, ishim të detyruar të ndalim edhe këtë në mesnate. Ekipet e specializuara kane filluar menjëherë përgatitjet për intervenim në sanimin e gjendjes. Sipas planeve, njësia B1 pritet të kthehet në prodhim nesër në mëngjes, më 16.12.2021, kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore. Duke falënderuar palët e përfshira për mirëkuptim dhe bashkëpunim, KEK është duke bere përpjekje maksimale për prodhim të qëndrueshëm me energji ne kushtet aktuale të krizës sezonale dhe botërore energjetike”, thuhet në reagimin e KEK-ut.