Në takimin e 19-të ministror të organizuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, në të cilin po merrte pjesë edhe Ministrja Artane Rizvanolli, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë ka miratuar Pakon për Energji të Pastër (1 dhe 2) dhe planin e veprimit për dekarbonizim për palët kontraktuese, si dhe rregullat për sigurinë e furnizimit me gaz.
Ndërkohë, Sekretariati ka njoftuar se në mbledhjen e planifikuar për vitin tjetër, Këshilli do të diskutojë dhe miratojë caqet e reja për energji të ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë dhe zvogëlim të emetimeve për vitin 2030.
Ky takim ishte i fundit për z. Janez Kopac, i cili edhe përfundoi mandatin e tretë në pozitën e udhëheqësit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Ai u zëvendësuar me diplomatin nga Polonia, Artur Lowowski.
Palët kontraktuese do të obligohen të miratojnë aktet e nevojshme ligjore për skemat e çmimit të karbonit deri në vitin 2024
Në këtë mbledhje, Ministrat përfaqësues nga palët kontraktuese kanë miratuar pesë akte ligjore në kuadër të Pakos për Energji të Pastër të Bashkimit Evropian. Këto akte mbulojnë sektorë si efiçienca e energjisë, energjia e ripërtëritshme, qeverisja, disejnimi i tregut energjetik dhe rregullat për sigurinë e furnizimit me gaz.
Ndryshe, Këshilli ka miratuar edhe planin e veprimit për dekarbonizim për palët kontraktuese, dokument ky politik që përcakton miratimin, transpozimin dhe zbatimin e rregullave me focus dekarbonizimin për palët kontraktuese.
Në takim u kërkua nga palët kontraktuese që të miratojnë aktet e nevojshme ligjore për sekamt e çmimit të karbonit deri në vitin 2025.
Ministrja Rizvanolli ka kërkuar zëvendësimin e UNMIK me Republika e Kosovës në Traktat
Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Ministrja Rizvanolli ka ri-cekur që Republika e Kosovës e vlerëson procesin që synon reformimin e Traktatit dhe mbështet shumicën e amandamenteve të propozuara. Megjithatë, ajo ka cekur që përfaqësimi formal dhe adekuat është i rëndësishëm për të shmangur çfarëdo pasigurie ligjore të mundshme sa i përket të drejtave dhe përgjegjësive.
Andaj, ministrja Rizvanolli ka kërkuar që të ndërrohet emri nga UNMIK në Republika e Kosovës në Traktat pasi Qeveria e Kosovës është palë ligjore e të gjitha kërkesave të Traktatit që nga 17 shkurti 2008. Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë shprehur përkrahjen e tyre për Republikën e Kosovës në këtë çështje.
Tutje, Ministrja Rizvanolli ka hapur çështjen e linjës interkonektive mes Kosovës dhe Serbisë para sekretariatit duke kërkuar që të veprojnë në përpuethshmëri me Rregullat për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve nga institucionet relevante të Komunitetit të Energjisë.
Ministrja ka cekur që mungesa në qasje të kapaciteteve në kufi me Serbinë është duke limituar tregtinë dhe duke shkaktuar implikime financiare për tregtarët, e që në mënyrë serioze ka dëmtuar e kufizuar transaksionet tregtare në Evropën Juglindore. Republika e Shqipërisë, e cila gjithashtu ndikohet nga kjo çështje, ka shprehur përkrahjen e saj.