Kriza energjetike- Rritet edhe çmimi i druve

Çmimi i druve është rritur sivjet sikurse edhe i shumë produkteve tjera. Një metër i kësaj lënde djegëse në nëntor kushtoi 45 euro.

 

E sasia e ngjashme në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka qenë më lirë, prej 39 eurove.

 

Reklama e sponzorizuar

Shtrenjtimin prej 6 eurosh e ka evidentuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Megjithatë, shitësit e druve arsyetohen.

Front Online ka kontaktuar me dy të tillë gjatë ditës së martës.

Njëri ka thënë se rritja e çmimeve të produkteve tjera është manifestuar edhe me rritjen e çmimit të druve.

 

“I kanë rrit çmimet e krejt produkteve tjera, po i rrisim edhe na. U rrit çmimi i benzinës. S`mundemi me punu me humbje na”, theksoi një shitës, që deshi të mbesë anonim.

Një tjetër këtë e lidh me shpenzime të tjera.

“Nuk e kemi malin afër ku i prejmë, po duhet me pagu dikënd me i bart drutë prej malit tek pllaci, me i pre – po ka harxhime. Tani po duhet me e rrit çmimin normal”, theksoi shitësiqë po ashtu kërkoi të mos i zbulohet identiteti.

Shtrenjtimi i kësaj lënde djegëse, që kryesisht përdoret për ngrohje, po e rëndon jetën e qytetarëve.

E telashet shtohen edhe më, pasi edhe energjia elektrike, që është alternativa tjetër që përdoret për të njëjtin qëllim nga qytetarët, po kushton po ashtu jo pak.

Shto këtu edhe kërkesën e qeverisë e cila ka kërkuar kursimin e saj shkaku i krizës energjetike globale dhe përdorimin e alternativave tjera për ngrohje.

 

Të tillat mungojnë.

Shitja e qymyrit, që ishte njëra prej tyre, në kryeqytet është ndaluar para katër vjetësh.