Në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” brenda këtij viti kanë kaluar mbi 2 milionë udhëtarë. Ky numër të rritet edhe gjatë ditëve të mbetura të këtij muaji. Vetëm këtë muaj kanë fluturuar 1 mijë e 423 aeroplanë, kurse numri më i madh i udhëtimeve janë nga Zvicra dhe Gjermania.
Gjatë muajit dhjetor, përkatësisht për festat e fundvitit, duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në Kosovë kanë fluturuar 1 mijë e 423 aeroplanë.
“Nga data 1 deri 28 dhjetor kanë fluturuar 1,423 aeroplanë me 180 mijë pasagjerë. Deri në fund të 2021 presim të përmbyllim vitin me 2.1 milionë pasagjerë”, kanë treguar në ANP, duke shtuar se numri i mërgimtarëve që kanë udhëtuar në vend është 180 mijë.
Në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës presin se numri i udhëtarëve të regjistruar do të rritet vitin e ardhshëm, duke kaluar shifrat 2.5 milionë.
“Për shkak të pandemisë, është një nivel i kënaqshëm i udhëtarëve dhe fluturimeve që nuk është pritur nga ne dhe aeroportet tjera të rajonit. Çdo vit shkon duke u shtuar numri i udhëtarëve, në vitin tjetër në rast se nuk do të ketë kufizime dhe masa të reja apo ndonjë variant të ri të virusit që do të parandalonte fluturimet ne presim të arrijmë një shifër diku rreth 2.5 milionë udhëtarë, një përqindje më e lartë nga ajo me të cilën presim ta përmbyllim këtë vit, e që është 2.1 milionë”.
Në ANP kanë treguar edhe për rregullat tjera që duhet ndjekur qytetarët për të fluturuar, përveç kontrollit së pasaportës e vizës.
“Gjatë kësaj kohe përpos kontrollit të pasaportës, vizës, janë kërkuar edhe teste shtesë, dokumente të vaksinimit. Por ajo që ka shkaktuar një vonesë më të gjatë është plotësimi i formularëve që disa shtete i kanë kërkuar online, i cili pastaj duhet të dërgohet me e-mail”.