Mikrofinancat me super kamata realizojnë fitim të “çmendur” më 2021

Fotografi ilustruese

Viti 2021 është viti ku normat e interesit në kredi nëpër institucionet mikrofinanciare në Kosovë u rritën në normat më të larta. Krahasuar me vitin 2020 ku IMF-të përmbyllën vitin me normë të interesit me 20.3 për qind, deri në fund të tetorit të vitit 2021 ajo u rrit për 0.3 pikë më shumë, duke shkuar në në 20.6 për qind.

Kjo rritje kishte ndodhur gradualisht muaj pas muaji, pasiqë në fillim të vitit 2021, pra në janar, norma e interesit në kredi ishte shprehur me një përqindje prej 19.8 për qind, ndërkohë që në tetor të këtij viti ajo arriti kulmin e rritjes në 20.6 për qind.

Në përgjithësi, Institucionet mikrofinanciare gjatë këtij viti kanë rritur normat e interesit sidomos për kreditë konsumuese dhe për ato në sektorin e shërbimeve. Kreditë konsumuese në këtë periudhë kishin pasur një rritje prej 0.8 pikë përqindje, duke arritur kështu në gjithsej 22.9 për qind si normë e interesit. 22.9 për qind ishte vetëm mesatarja e normës së interesit pasi tek kreditë konsumuese kamata ishte mbi 30 për qind, nëse shikohen ofertat e secilës bankë veç e veç.

Reklama e sponzorizuar

Institucionet mikrofinanciare deri në muajin tetor 2021, të cilat njëkohësisht janë edhe të dhënat e fundit të raportuara nga BQK-ja për sektorin bankar, arritën të gjenerojnë gjithsej të hyra prej 40.2 milionë euro.

Në raportin mujor të BQK-së vërehet se këtë fitim mikrofinancat e realizuan kryesisht nga të hyrat prej kamatave. Kështu nga totali i të hyrave për sektorin për këtë periudhë prej 40.2 milionë eurove, vërehet se dominojnë të hyrat nga interesi me 35.6 milionë euro.

Ndërkohë, kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në fund të muajit tetor arritën në 233.1 milionë euro, ku 154.1 milionë euro u lëshuan për ekonomitë familjare, ndërsa 79 milionë të tjera u dhanë për korporata jofinanciare.

Prej të gjithave të hyrave, shpenzimet e IMF-ve për operim shkuan në 27.7 milionë euro. Ndërsa nga 35.6 milionë euro që vinin nga interesi, shpenzimet për këtë kategori ishin vetëm 6.7 milionë euro.

Në anën tjetër, të njëjtat institucione në tetor 2021, arritën në profitin neto prej 11.8 milionë eurove. (Blendrita Avdiu) /Buletini Ekonomik/