Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se nuk ka kuptim të rriten pagat në sektorin publik.
Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ajo ka shtuar se ky sektor punon në kushte shumë më të mira se ai privat.
“Në sektorin publik nuk ka kuptim të rriten pagat, duke qenë se veç janë 25 për qind më të larta se sa në sektorin privat. Sektori publik punon në kushte të punës shumë më të mira dhe me produktivitet e orë të punës me të ulëta, ndërsa në sektorin privat absolutisht se duhet të rritet paga minimale dhe kjo do të bëhet, por që kërkon ndryshime legjislative që marrin kohë, e kur do të bëhet kjo saktësisht këtë mund t’iu tregoj ministri i Financave”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo ka shtuar se situata energjetike në Kosovë gjatë tri ditëve të ardhshme pritet të rëndohet, duke shtuar se mjetet e parapara për import të rrymës për tërë vitin janë shpenzuar për vetëm dy muaj.
“KEK-u zakonisht operon me dy blloqe të termocentralit ‘Kosova A’ dhe dy blloqe të ‘Kosova B’, që i bie rreth 800MW në orë. Është bërë përpjekje edhe e shtimit në funksion të një blloku tjetër të ‘Kosova A’, duke rritur për 120MW kapacitetet. Fatkeqësisht tentimi për t’i mbajtur te tri blloqet njëkohësisht nuk ka funksionuar. Sot është dashur që një bllok i ‘Kosova B’ të ndalet për 36 orë për një riparim. Kështu që tri ditët e ardhshme, situata energjetike pritet të jetë edhe më e rënduar”, ka shtuar ajo.
Rizvanolli ka thënë se mjetet e parapara për import të rrymës për tërë vitin u shpenzuan për dy muaj.
“Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milionë për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milionë euro për import”, ka përfunduar Rizvanolli.