Mungesa e përspektivës shkakton ikje masive të të rinjve nga Bosnja

Studentja e arkitekturës Arijana Pirusiç është një nga rreth 23,000 të rinjtë që planifikojnë të largohen nga Bosnja në kërkim të arsimit ose mundësive më të mira për punë, pjesë e një ikjeje vjetore të trurit nga ky vend i trazuar.

Njëzet e tre vjeçarja Pirusiç, e cila po i përfundon studimet e magjistraturës për arkitekturë në Universitetin e Sarajevës, do ta bëjë semestrin e saj të fundit në Universitetin e Shtutgartit në Gjermani, në kuadër të programit të shkëmbimit të studentëve, Erasmus, të Bashkimit Evropian.

Por ajo gjithashtu ka në plan të kërkojë punë jashtë vendit.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk ka perspektivë për arkitektët e rinj këtu”, thotë Pirusiç, duke shtuar se paratë dhe paga minimale boshnjake ndikuan në planet e saj.

Rritja ekonomike, reforma dhe investimet në Bosnje janë penguar nga tensionet e vazhdueshme etnike që nga lufta e viteve 1992-95, së bashku me korrupsionin e përhapur, nepotizmin dhe krimin e organizuar.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, shkalla e papunësisë mes boshnjakëve të moshës 15-29 vjeç ishte 34% në vitin 2019.

Një raport i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, i publikuar në fillim të këtij viti zbuloi se mesatarisht 50,000-55,000 njerëz – kryesisht punëtorë dhe profesionistë të kualifikuar, shumë prej tyre me të afërm jashtë vendit, largohen nga Bosnja çdo vit.

Raporti paralajmëroi se nëse një eksod i tillë vazhdon, popullsia e Bosnjës mund të bjerë në më pak se 1.6 milionë banorë deri në vitin 2070 nga rreth 3 milionë që ka tani.

Përfaqësuesi Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Bosnje, John Kennedy Mosoti thotë se 23,000 nga ata 50,000 njerëz janë të rinj të moshës 18 deri 29 vjeç.

Ai shtoi se çdo vend duhet të “alarmohet” nga një situatë, ku 23 mijë të rinj në vit largohen prej tij.

Kompanitë në mbarë Bosnjën ankohen gjithnjë e më shumë për mungesë të punëtorëve të kualifikuar.

Disa prej tyre, si Cromex, një prodhues i pjesëve metalike në qytetin verior të Prijedorit, po ofrojnë trajnime profesionale dhe paga më konkurruese.

Menaxheri i kompanisë Cromex, Enes Pehliç i tha agjencisë së lajmeve Reuters se kompania e tij po përpiqet të ndalë largimin e punëtorëve, por tha se çështja nuk ishte vetëm e lidhur me paratë dhe pagat, por edhe për mungesën e perspektivës në Bosnje.

“Askush nuk mund të të sigurojë se në 20, 30, ose 40 vjet, kur të dalësh në pension mund të marrësh një pagesë normale, që do të ofronte mundësinë për një jetesë normale”, tha zoti Pehliç.

Por disa të boshnjakë, duke përfshirë 17 vjeçarin Stefan Kotroman, i cili po ndjek kursin e trajnimit në kompaninë Cromex nuk kanë plane të largohen nga vendi.

“Nëse mëson profesionin tënd, mund të jetosh mirë këtu dhe nuk ka nevojë të largohesh nga vendi”, thotë ai.