Nafta është rritur në tregtinë e së Enjtes, ndërkohë që kërkesa konsumatore në SHBA u rrit në nivel rekord të lartë, edhe pse varianti Omicron i koronavirusit kërcënon të pengojë konsumin e naftës në botë. Sinjali i Rezervës Federale për të trajtuar inflacionin përpara se të godasë ekonominë amerikane, ka nxitur gjithashtu çmimet. Nafta brent e Londrës u rrit me 1%, në 74.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane u rrit me 1.1% në 71.66 dollarë për fuçi.
Analistët thonë se pavarësisht rritjes së virusit, raporti javor mbi inventarët tregoi se kërkesa për produkte të naftës shënoi nivel rekord të lartë. Inventarët e naftës bruto ranë me 4.6 milionë fuçi në javën që përfundoi më 10 Dhjetor, sipas të dhënave nga Administrata e Informacionit për Energjinë në SHBA. Kjo është më shumë se dyfishi i pritshmërive të analistëve për 2.1 milionë fuçi.
Produktet e funrizuara nga rafineritë, që është një matës alternativë për kërkesën, u rritën në javën e fundit në 23.2 milionë fuçi në ditë, për shkak të rritjeve të benzinës, naftës dhe produkteve të tjera të rafinuara. Analistët thonë se kjo reflekton si pritshmëritë për një rritje të udhëtimeve nga njerëzit për pushime ashtu edhe zbutjen e problemeve me zinxhirin e ofertës.
Paralelisht, Rezerva Federale deklaroi se mund të përfundojë stimujt monetarë të periudhës së pandemisë në muajin Mars dhe të nisë rritjen e interesave, ndërkohë që papunësia qëndron e ulët dhe inflacioni, i lartë. Rritja e çmimeve të naftës u frenua paksa nga shenjat e rritjes së koronavirusit. Britania dhe Afrika e Jugut raportuan shifra rekord të pandemisë dhe rritje të rasteve me Omicron, ndërkohë që shumë kompani në nivel botëror i kanë kërkuar punonjësve që të punojnë nga shtëpia, ç’ka mund të limtojë kërkesën për naftë./Scan tv/