Home Lajme LVV-ja nuk e voton Projektligjin për Skemat Sociale, Dreshaj: Mendësi totalitare

LVV-ja nuk e voton Projektligjin për Skemat Sociale, Dreshaj: Mendësi totalitare

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për mos votimin e Projektligjit për skemat pensionale, i cili kishte për qëllim që pensionistëve t’ ju njihet e drejta e stazhit të punës për periudhën 1990-1999, rrjedhimisht të heq kufizimin diskriminues për 15 vite stazh të sigurimit pensional, për qytetarët e Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në konferencë për media të mërkurën, tha se mazhoranca shkeli edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për skemat pensionale.

“Sot ishim dëshmitar se deri ku mund të shkojë mendësia totalitare që nuk njeh opinion tjetër. As opinionin e Kushtetueses, as opinionin e pensionistëve dhe as opinionin e sindikalistëve. Votimi i sotëm i Lëvizjes Vetëvendosje kundër, nuk është kundër nismës sonë si AAK, por edhe vendim kundër Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk është në gjendje të ndryshojë padrejtësinë ndër vite që iu bëhet pensionistëve. Mirëpo ai tha se e njëjta mund të ndodh deri më 15 korrik të këtij viti, kur edhe është afati i fundit, sipas kushtetueses për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale.

“Vetëvendosje ka ardh në pushtet me program social. Ju kujtoj se LVV ka ardh në pushtet për ndryshimin e vendit, por këta nuk janë në gjendje të ndryshojnë as padrejtësinë kushtetuese që ndër vite ju bëhet pensionistëve. Kjo vetëm për faktin se vjen si propozim i opozitës. Ju garantoj pensionistëve se qoftë nga kjo legjislaturë, apo legjislaturë eventuale tjetër, ky ligj diskriminues pas datës 15 korrik nuk do të jenë më ligj”, tha ai.

Në seancën e djeshme, ky projektligj dështoi të miratohet, pasi vetëm 25 deputetë votuan për, kryesisht të opozitës, ndërsa 35 sosh të mazhorancës votuan kundër.