Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbrëmshme ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave për ndarjen e 4 milionë e 500 mijë eurove në kuadër të Masës 3.2, si mbështetje për pensionistët dhe për familjet që jetojnë nën asistencë sociale.
Sipas njoftimit nga kjo ministri, këto mjete do të shfrytëzohen për pagesën e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë, përcjell Buletini Ekonomik.
Gjithashtu, në këtë mbledhje u miratua edhe vendimi për rikthimin e mjeteve te paalokuara dhe të pashpenzuara të “Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike” në vlerë prej 21 milionë e 770 mijë eurove, në kategorinë ekonomike subvencione dhe transfere.
Nga fusha e financave, u miratuan edhe disa vendime tjera si vendimi për kursime dhe ndarje buxhetore nga organizatat buxhetore. Gjithsej kursimet janë në shumën prej 19,060,303.02 eurove dhe e njëjta vlerë është ndarë për të siguruar pagesën e pensioneve për muajin dhjetor, si dhe shlyerjen e obligimeve financiare të trashëguara nëpër organizata të buxhetore të ndryshme.
Po ashtu, është marrë edhe vendimi për aprovimin e kërkesës së Komunës së Prizrenit për shlyerjen e obligimeve të ndërmarrjes KosovaTrans ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe aprovimi i vendimit për aprovimin e kërkesës së KOSTT për kthimin e dividendës për këtë vit nga ana e Qeverisë, në mënyrë që KOSTT –i të ketë likuditetin e nevojshëm për të vazhduar operimet pa pengesa.
Krejt në fund, me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit janë ndarë mjete në vlerë të 86 mijë e 243 eurove, për pagesën e obligimeve ndaj mësimdhënësve të cilët kanë punuar për përgatitjen e materialeve për zhvillimin dhe xhirimin e mësimit për organizimin e mësimit online në kohë pandemie. /Buletini Ekonomik/