Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar (MB) do të rritet me një ritëm më të shpejtë se sa ajo e BE-së gjatë dy viteve të ardhshme, ka parashikuar një organizatë e madhe ndërkombëtare.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka parashikuar se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar do të rritet me 6.9 për qind në vitin 2021 dhe më pas me 4.7 për qind në vitin 2022.
Kjo rritje është më e lartë se parashikimi për Eurozonën, i cili është në shifrat 5.2 për qind në 2021 dhe 4.3 për qind në 2022.
Shifrat nënkuptojnë gjithashtu se MB pritet të ketë rritjen më të shpejtë nga të shtata ekonomitë më të përparuara të botës.
Boris Johnson dhe Rishi Sunak ka të ngjarë t’i presin mirë këto shifra të larta, në një kohë që Britania vazhdon rimëkëmbjen e saj nga kriza e Covid.
Por OECD ka lëshuar gjithashtu një paralajmërim të fortë global mbi kërcënimin që paraqet varianti i ri i koronavirusit Omicron për ekonominë mbarëbotërore.
Parashikimet e OECD sugjerojnë se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është në rrugën e duhur për t’ia kaluar rivalëve të saj të G7, si për këtë vit, ashtu edhe për vitin pasardhës.
Parashikimi i vitit 2021 shënon një përmirësim krahasuar me shifrën 6.7 për qind që ishte parashikuar në shtator dhe, edhe pse perspektiva e 2022 është ulur krahasuar me rritjen prej 5.2 për qind që ishte parashikuar më parë, Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kryesojë listën e vendeve të G7.
Megjithatë, OECD ka paralajmëruar se Britania mund të hasë vështirësi nëse mungesat e furnizimeve dhe të fuqisë punëtore nuk lehtësohen.
Shefja ekonomike e OECD-së, Laurence Boone, paralajmëroi sot se shfaqja e variantit Omicron mund të rrezikojë rimëkëmbjen ekonomike globale.
Duke prezantuar raportin e fundit të OECD-së, ajo tha: “Ne jemi të shqetësuar se varianti i ri i virusit, lloji Omicron, po shton më tej nivelet tashmë të larta të pasigurisë e të rreziqeve dhe kjo mund të përbëjë një kërcënim për rimëkëmbjen”.
OECD uli perspektivën e saj të rritjes ekonomike globale për vitin 2021 në 5.6 për qind nga 5.7 për qind dhe e mbajti atë të pandryshuar në 4.5 për qind për vitin 2022 – megjithëse, në fakt, raporti është përpiluar përpara se të shfaqej varianti i ri.
Grupi me qendër në Paris përmendi rreziqet kryesore, si për Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe për ekonominë globale, që vijnë nga rritja e inflacionit, pengesat në zinxhirin e furnizimit dhe rritja e normave të interesit.
Për Mbretërinë e Bashkuar, grupi tha: “Një periudhë e tejzgjatur e mungesave të furnizimeve dhe të fuqisë punëtore mund të ngadalësojë rimëkëmbjen, duke i detyruar firmat të shkojnë drejt një reduktimi më të përhershëm të kapacitetit të tyre operativ”.
Grupi shtoi se konsumi i familjeve dhe i biznesit mund të dëmtohej si rrjedhojë e rritjeve më të mëdha nga ҫ’pritej të çmimeve për mallrat dhe energjinë, ndërsa shqetësimet për inflacionin mund të çojnë në një rritje më të shpejtë të normave të interesit.
“Përkeqësimi i marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Europian mund të rëndojë gjithashtu perspektivën ekonomike afatmesme,” shtoi OECD.
Por OECD tha se mund të ketë një përmirësim për perspektivën e Mbretërisë së Bashkuar nëse punonjësit plotësojnë vendet e lira të punës me një ritëm më të shpejtë pas përfundimit të skemës së mbështetjes nga qeveria, duke ndihmuar në lehtësimin e disa prej mungesave të fuqisë punëtore.
OECD tha se është ‘optimiste në mënyrë të kujdesshme’ për situatën globale, megjithëse tha se janë shfaqur ‘zhbalancime të rënda’.
Zonja Boone tha: “Qeveritë vepruan me shpejtësi dhe në mënyrë efektive gjatë kulmit të krizës për të mbështetur njerëzit dhe bizneset. Por puna nuk ka mbaruar.’
“Mungesa e koordinimit global për shpërndarjen e vaksinave po na vë të gjithëve në rrezik.”
Ajo shtoi: “Skenari më i rëndë është që zonat me vaksinim të ulët të shndërrohen në terrene të zhvillimit të varianteve më vdekjeprurëse të virusit, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë jetët e njerëzve dhe të dëmtojnë mënyrën e tyre të jetesës”./Daily Mail/