Fillimi i ndërtimit të projektit të Parkut teknologjik të Integruar bujqësor pritet të shënojë edhe fazën e transformimit të sektorit të bujqësisë.
Projekti ka për qëllim hapjen e pesëdhjetepesë (55) serave hidrofonike në gjithë Kosovën me pesë (5) qendra të mbjelljes dhe një qendër hulumtuese. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën , Fikret Bangu, zëvendësdrejtor i këtij parku.
Duke pasur parasysh se në Kosovë ka një numër të madh të papunëve, përmes ndërtimit të Parkut Teknologjik të Integruar Bujqësor, që ka filluar të ndërtohet në fshatin Vragoli, do t’u mundësohet punësimi i qindra grave, të rinjve dhe personave me nevoja të veçanta. Kështu ka thënë për Radio Kosovën Fikret Bangu, zëvendësdrejtor i Parkut Teknologjik i Integruar Bujqësor. Ai shtoi se në këtë mënyrë do të kontribuojnë në grupet e popullsisë që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
“Do të ndërtojmë pesëdhjetepesë (55) sera hidrofonike, e në pesë (5) zona të Kosovës do të jetë nga një qendër e kultivimit të bimëve dhe qendra e hulumtimit të bimëve jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin. Është projekt që do të përfshihen 50% gratë, të rinj, persona me aftësi të kufizuara, po ashtu në këtë projekt do t’i kemi bashkëpunëtorë edhe bujqit lokalë e që do të jetë i siguruar edhe tregu i jashtëm për ta”, tha ai.
Bangu po ashtu tha se nëpërmjet hapjes së këtyre serave, do t’i shtrijnë metodat e reja teknologjike të kultivimit nëpër komunat e Kosovës.
“Projekti ynë parasheh 38 komuna të Kosovës ku ka me qenë minimum një serë e ndërtuar, për një serë të ndërtuar neve na duhen 7 hektarë e gjysmë, ku brenda një sere do të punojnë minimum 85 punëtorë, përjashtuar administratën dhe sigurimin. Në këtë projekt është paraparë që të investohen 355 milionë euro”, theksoi ai.
Faza e pilot- projektit do të nisë fillimisht në gjashtë (6) komuna. E pastaj do të vazhdojë edhe në tridhjetedy (32) komuna të tjera. Financimi i këtij projekti është bërë nga Kompania “Eksim Global”, e cila parasheh punësimin e rreth 5 mijë personave brenda tri viteve.