Pas hulumtimit të Buletinit, ATK autorizon edhe një kompani për shitje të arkës fiskale dhe printerit fiskal

Pajisje Elektronike Fiskale

Hulumtimi i gjatë i Buletinit Ekonomik ditë më parë rreth tregut të arkave fiskale në Kosovë, që nxorri në shesh monopolin 10 vjeçar në këtë treg nga një kompani e vetme, ka bërë që institucionet në vend të reflektojnë në këtë drejtim.

Saktësisht, pas një muaji thirrje të hapur nga ana e ATK-së për autorizimin e kompanive si operatorë me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale në Kosovë, tashmë Administrata Tatimore e Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete për hapjen e tregut të arkave fiskale, përcjell Buletini Ekonomik.

Ky institucion si rregullatori kryesor i këtyre shërbimeve dhe njëkohësisht edhe operatorëve, ka licencuar edhe një kompani tjetër për shitjen dhe servisimin e pajisjeve fiskale, duke përfshirë edhe printerin fiskal, i cili deri më tani ka mundur të blihet tek një kompani e vetme.

Reklama e sponzorizuar

Konsorciumi “Service Global” është kompania më e re që tashmë i është bashkuar tregut të arkave fiskale në Kosovë, që nënkupton se tani e tutje bizneset do të kenë më shumë mundësi përzgjedhjeje të pajisjeve fiskale që këta operatorë ofrojnë.

Kjo kompani deri më tani ka qenë e licencuar vetëm për shitjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve fiskale për derivate nëpër pika të shitjes me pakicë. Ndërsa tani, e njëjta ka certifikuar në ATK edhe tri pajisje të tjera fiskale, si arkën mobile, arkën statike dhe printerin fiskal.

Të drejtën për shitjen dhe mirëmbajtjen e printerit fiskal deri në muajin e kaluar e ka gëzuar vetëm kompania tjetër e licencuar, “Enternet”.

Fidan Prokshi, menaxher në Konsorciumin “Service Global”, ka treguar për Buletinin Ekonomik se tek më datë 15 nëntor kanë certifikuar tri pajisjet e lartëpërmendura fiskale, në laboratorin pranë Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, kurse më datë 25 nëntor 2021, kanë pranuar edhe vendimin final të certifikimit të këtyre pajisjeve nga ATK-ja dhe se kanë filluar me pranimin e kërkesave nga klientët.

“Kompania Konsorcium “Service Global” e licencuar për shitje dhe servisim të paisjeve fiskale ka pasur të certifikuar vetëm sistemin fiskal të specializuar për pika të shitjes me pakicë të derivateve”, ka thënë Prokshi.

Në anën tjetër, dyshimet për monopol mbështeteshin edhe nga çmimet ‘astronomike’ për arka fiskale në gjithë këto vite, ani pse në ATK kanë qenë të licencuara katër kompani për shitjen e arkave fiskale.

Megjithatë, ky vendim i ATK-së, pas “zhbërjes së monopolit 10 vjeçar”, pritet që të ndikojë edhe në rënien e çmimeve marramendëse të arkave dhe printerëve fiskal, që bizneset detyroheshin të paguanin.

Bizneset deri tani, për t’u pajisur me një arkë fiskale kanë paguar deri në 400 euro, dhe çmim extra edhe për mirëmbajtjen vjetore të pajisjeve. Aktualisht arka fiskale më e lirë në treg është 325 euro, ndërsa bizneset kanë paguar për vite me radhë edhe për mirëmbajtje 110 euro në vitin e parë dhe 70 në të dytin.

Ndërkohë, çmimi i një printeri fiskal në kompaninë ‘Enternet’, që deri tani gëzonte monopolin për printerë, është 452 euro plus TVSH-ja. Kurse arkat fiskale në këtë kompani kushtojnë prej 239 deri në 299 euro, ndërsa për sistemin fiskal të derivateve, çmimi i një pajisjeje të tillë elektronike është 4 mijë e 71 euro me TVSH, ndërsa pa TVSH 3 mijë e 450 euro.

Në një përgjigje të mëhershme nga ATK-ja, patën thënë se ata vet si institucion nuk i përcaktojnë çmimet e pajisjeve elektronike fiskale dhe as çmimet e mirëmbajtjes së tyre, por janë operatorët ata që i përcaktojnë çmimet. Pra, çmimi i arkave dhe printerëve fiskal në Kosovë përcaktohet sipas vlerës së hapur të tregut.

Ndryshe, për shitjen e arkave fiskale në vend janë të certifikuara katër kompani: “Gekos”, “Enternet” (që nga hulumtimi i Buletinit Ekonomik del se kanë pronarin e njëjtë), kompania “Dukagjini”, dhe “Service Global” për sistem fiskal për pompat e benzinës, që së fundmi u licencua edhe për ofrimin e arkave dhe printerëve fiskal. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/