PECB – kompania e parë në Kosovë që shkurton orarin në 4 ditë punë në javë

Në shumë shtete po diskutohet ideja e shkurtimit të orareve të punës, duke u nisur edhe nga studime të ndryshme se oraret e tejzgjatura nuk janë produktive.

Ndër vendet që e ka marrë në konsideratë këtë iniciativë ka qenë edhe Zelanda e Re dhe nga viti i kaluar, popullsia e saj është duke punuar vetëm katër ditë në javë.

Kjo ide tashmë ka filluar të zbatohet edhe në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

PECB, kompani kanadeze, bëhet kompania e parë në Kosovë që shkurton orarin në 4 ditë punë në javë.

PECB, është kompani globale, që merret me ofrimin e trajnimeve profesionale dhe certifikimin e personave në ISO standarde, ndërsa në Kosovë PECB ka prezencë që nga viti 2012 kur fillimisht ka hapur një zyre të vogël me 5 punëtorë, ndërsa sot ka të punësuar afër 110 punëtorë.

Fitim Rama, Drejtor ekzekutiv në PECB, thotë se e gjithë ideja prapa këtij vendimi është krijimi i një ambienti më motivues për punëtorët e PECB-së.

“Duke pasur parasysh që për ne punonjësit janë ndër asetet kryesore të kompanisë, është e rëndësishme që të kemi punonjës kompetent dhe të kënaqur. Për këto arsye, një politikë e tillë për të cilën janë bërë shkrime dhe analiza të ndryshme por pak kompani në botë e kanë zbatuar, ka qenë tërheqëse për ne”, ka thënë Rama, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik.

Kjo ide brenda PECB-së fillimisht kishte nisur gjatë pandemisë kur stafi kishte punuar 4 ditë në javë si masë parandaluese ndaj pandemisë.

Aktualisht stafi i PECB-së është duke punuar nga shtëpia, por Rama thotë se sapo të kthehen në mars të vitit të ardhshëm në zyrë, do të filloj zbatimi i vendimit për 4 ditë punë në javë.

Argumentet PRO kësaj ideje nga analistët dhe ato pak kompani që kanë bërë diçka të tillë sipas Ramës thonë se një orar më i shkurtuar do të rrisë motivimin, produktivitetin, dhe përkushtimin e punonjësve ndaj kompanisë dhe rrjedhimisht në punonjës më të lumtur të cilët do të prodhojnë punë më të mira.

Ndërkaq, kur është pyetur sesi do t’ia dalin që t’i kryejnë punët e pesë ditëve për katër ditë, Rama ka përmendur tri argumente, por më kryesori, sipas tij, është zbatimi i teknikave të ndryshme që e rrisin efikasitetin përmes teknologjisë dhe ndërtimit të sistemeve sipas praktikave më të mira, përfshirë ISO standardet.

“Përmirësime të tilla na mundësojnë të kryejmë më shumë punë me më pak kohë, të automatizojmë procese, dhe koha e njeriut të përdorët më menqur”, ka thënë ai.

Po ashtu, do të vazhdohet të ofrohet përkrahje për partnerët dhe klientët e PECB-së në ditët e njejta duke bërë rotacione në orare, si dhe do të shtohen kapacitetet e burimeve njerëzore, që sipas Ramës do të mundësojë kryerjen më të shpëjtë dhe më të madhe të punëve.

Ai ka siguruar se ky ndryshim i orarit nuk do t’i prekë pagat e punëtorëve.

“Ne si kompani kemi një politikë që pagat e secilit punëtorë rishikohen dhe rriten çdo vit pasi që besojmë në vlerësim adekuat të performancës dhe në meritokraci. Pra punonjësit do të vazhdojnë ti kenë të gjitha benefitet e njejta por do tu shtohet një më shumë, pra një ditë pushim më shumë çdo javë”, ka thënë Rama.

Rama pret që ky model do të sjellë më shumë motivim te punonjësit e PECB-së, pasi që, siç thotë ai, “do të kenë 3 ditë pushim në të cilat mund të bëjnë aktivitete të ndryshme të preferuara”.

“Kjo rrjedhimisht do të ndikoj që të jenë më të pushueshëm, më të lumtur, dhe të jenë më të përkushtuar ndaj punës. Gjatë orarit të punës presim të jenë më produktiv, gjë e cila vjen nga secili individualisht që do të jenë më shumë kritik ndaj prioritizimit të detyrave të ndryshme, si dhe nga ana e kompanisë ku do të punojnë në rritjen e efikasitetit të proceseve. Pra për ne përfitimet janë të qarta pasi që jemi në një fushë që na lejon një gjë të tillë, dhe besoj është e mundshme për biznese që janë në fushën e shërbimeve dhe janë të fokusuara në procese. Pa dyshim që një model i tillë është vështirë i realizueshëm në sektorë të caktuar ku shërbimet ose produktet duhet të kenë aktivitet më të gjatë”, ka vlerësuar ai.

Drejtori i PECB-së mendon se ky shembull duhet të ndjeket edhe nga kompani tjera në Kosovë, sidomos tek ato biznese që ofrojnë shërbime.

“Të gjithë kemi përgjegjësi si komunitet që të bëjmë më shumë në përgatitjen e talentëve të rinj përmes trajnimeve, programeve të zhvillimit profesional, dhe ofrimit të kushteve të mira të punës”, ka pohuar Rama. /Buletini Ekonomik/