Polonia merr hua 250 milionë euro nga Banka Botërore për të ndihmuar familjet të heqin dorë nga ngrohja me qymyr

Polonia do të pranoj një hua prej 250 milion euro nga Banka Botërore për të ndihmuar amviseritë që të zëvendësojnë ngrohjen me qymyr dhe që të izolojnë shtëpitë e tyre, ka bërë të ditur banka, përcjell Reuters.

Smogu është një problem i madh në Poloni, ku ngrohja në amviseri me anë të qymyrit thuhet të jetë përgjegjës për pjesën më të madhe të ndotjes së ajrit të vendit, për të cilin Banka Botërore vlerëson se vrasin 46,000 polakë çdo vit.

“Ambicia jonë është që në pesë vitet e ardhshme të partneritetit tonë të mbështesim si dekarbonizimin e sektorit të ngrohjes si dhe përfshirjen dhe ritmin e programit”, ka theksuar Gallina A.Vincelette, drejtoresha e Bankës Botërore për Bashkimin Evropian.

Reklama e sponzorizuar

Banka Botërore më parë ka siguruar financim apo këshilla për kualitetin e ajrit për vendet si Kina, India, Peruja, Egjipti, Kili dhe Meksika.

Kryetari i ri i komunës së Prishtinës me subvencione për kaldaja të reja për amviseritë për të ulur ndotjen

Cilësia e dobët e ajrit dominon edhe qytetet kryesore në Kosovë, me Prishtinën që është viktima kryesore e rënies së cilësisë së ajrit gjatë stinës së dimrit.

Dy termocentralet e vjetruara dhe trafiku i rënduar janë fajtorë për një pjesë të cilësisë së ulët të përvitshme të ajrit gjatë stinës së dimrit në Prishtinë.

Por është e pamohueshme që me uljen e temperaturave qytetarët në Kosovë, që nuk përfitojnë nga sistemi i ngrohjes qendrore ose që nuk janë në gjendje të përballojnë alternativat e tjera të ngrohjes, zgjedhin djegien e thëngjillit për të ngrohur familjet e tyre për të kaluar sezonin e dimrit.

Mirëpo, kryetari i sapozgjedhur i Prishtinës, Perparim Rama, i cili ka hyrë në detyrë këtë javë, në një dalje të mëparshme mediatike kishte shpjeguar planet e tij se si ta trajtojë këtë çështje ndotjeje që mundon kryeqytetin e Kosovës.

Kryetari i ri i Prishtinës kishte pohuar se cilësia e dobët e ajrit shkaktohet nga djegia e qymyrit, duke pasur parasysh uljen e temperaturave që çojnë në djegie të thëngjillit për ngrohje.

Rama tha se sistemi i ngrohjes qendrore të Prishtinës, Termokos, do të zgjerohet brenda mandatit të tij të parë si kryetar i Prishtinës, duke i zgjeruar kapacitetet aktuale prej 140 MË në potencialisht 280 MË, duke mbuluar lagje si Mati, Bregu i Diellit, Tophane.

“Tash pikërisht edhe po e heton erën e qymyrit nëpër rrugë të Prishtinës si rezultat i termperaturave të ulëta. Një numër i madh apo një numër i konsiderueshëm i shtëpive bëjnë ndezjes e qymyrit”, tha ai.

“Si pjesë e procesit tonë ne kemi shiku edhe aspektin e shtimit të rrjetit të Termokos’it, i cili ka tash i ka 140 megavat me mundësitë që mund të jetë 280 megavat, dhe shtrirja e rrjetit në pjesë si Mati, si Bregu i Diellit, si pjesa e Tophanës. Brenda periudhës kohore katër vjecare do ta bëjmë”, tha ai.

Rama poashtu dha një qasje më individuale për zgjidhjen e problemit të cilësisë së dobët të ajrit apo aktivitetit që rezulton në ndotje.

Ai ka thënë se komuna e Prishtinës gjatë mandatit të tij do të ofrojë subvencione për amvisëritë, në veçanti për rastet sociale, për t’iu mundësuar atyre që të zëvendësojnë kaldajën e tyre të vjetër, joefikase me kaldaja të reja që do të ulnin dukshëm ndotjen.

“Mirëpo, është edhe aspekti i subvencionimit të shtëpive të cilat tash përdorin kaldaja që janë të vjetruara ose që nuk e bëjnë djegien më funksionale apo më të mirëfilltë”, theksoi Rama.

“E kemi pjesë të procesit që të ju ndihmojmë familjeve, rasteve sociale, që të kenë mundësi ndoshta t’a ndërrojnë kaldajën dhe ndezja është më efikase më e mirë dhe mbrohen edhe në aspektin e ajrit, sepse ndotja do të ishte shumë më e ulët në krahasim me kaldajat që tash i shfrytëzojm të viteve 80’ta apo 70’ta”, tha ai.

E përvec kaldajave të reja, sipas Ramës, subvencionet e ardhshme do të synojnë gjithashtu investimet në masat izoluese të shtëpive, si një mjet për rritjen e eficensës së energjisë dhe uljen e humbjeve të energjisë për ngrohjen e amvisërive.

“Njëjtën kohë edhe me ju mundësu që të kenë qasje në një subvencion për kalda të re, e poashtu si pjesë të procesit të kem subvencione edhe për izolimin e shtëpive, izolimin e brendshëm të kulmeve poashtu sepse aty ik nxehtësia më e madhe, kshtuqë ata munden me një djegie shumë më të vogël, me përqindje shumë më të vogël të djegies të mund të ngrohen përgjatë procesit kur ne edhe fillojmë shtrirjen e rrjetit të Termokos’it”, tha ai.

“Mirëpo, për fat të keq rrjeti i Termokos’it nuk i ka kapacitetet ta mbulojë të gjithë qytetin, e për atë arsye edhe këto alternativat e subvencionimeve janë të nevojshme”, theksoi ai.

Përparim Rama ndau edhe numrin e pemëve që janë parashikuar të mbillen gjatë mandatit të tij të parë katërvjeçar.

“Ne kemi program 800 mijë drunj, ashtu i kemi dhe ashtu do t’i bëjmë”, theksoi kryetari i ri i komunës së Prishtinës, Përparim Rama. /kosovo.energy/