Rritet indeksi i shërbimeve në tregti, transport dhe postë

Sektori i tregtisë, ai i transportit, magazinimit dhe postave kanë shënuar rritje rekorde të shitjeve si dhe numrit të të punësuarve në këto lëmi në tremujorin e tretë të këtij viti.

Në rapotin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës titulluar “Statistikat Afatshkurtra të Shërbimeve, TM3 2021” shpalosen të dhënat për indekset e sherbimeve për Transport, Magazinim dhe Postë të cilat tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit 2021, indeksi i shitjeve neto shënoi rritje për 112.03 për qind, kurse indeksi i numrit të të punësuarve në këtë sektor shënoi rritje për 31.15 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM3 2020).

Tutje edhe sektori i tregtisë gjatë kësaj periudhe shënoi rritje për 54.55 për qind, ndërkohë që numri të punësuarve u ngrit për 7.45 për qind, gjithmonë duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë, pra TM3 2020.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu edhe nëpër bare dhe restorante në vend, në TM3 të 2021-ës ishte shënuar rritje e indeksit të shitjeve neto për 150.20 për qind. Në këtë sektor rritje shënoi edhe numri i të punësuarve për 10.76 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Përveç tre sektovëve të lartëpërmendur, rritje ka shënuar edhe sektori për Informacion dhe Komunikacion, ku indeksi i shitjeve neto shënoi rritje për 27.58 për qind, kurse indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje për 37.29 për qind, krahasuar me TM3 2020.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/