Shqipëria, vendi i dytë që ka dorëzuar planin për energji dhe klimë tek Komuniteti i Energjisë

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka dhënë rekomandimet e veta për draft Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP) të Shqipërisë, palës së dytë kontraktuese që ka dorëzuar këtë dokument për vlerësim, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Sipas Sekretariatit, draft verzioni i NECP-së të dorëzuar nga Shqipëria paraqet një përmbledhje të masave aktuale dhe të planifikuara, por ka ende hapësirë për politika për të ulur ndikimin e zhvillimit ekonomik në rritjen e emetimeve të gazrave serrë.

Pala e parë kontraktuese e Komunitetit të Energjisë që ka dorëzuar një plan të tillë është Maqedonia e Veriut, e cila planin kishte dorëzuar në vjeshtë të vitit 2020.

Reklama e sponzorizuar

Caqet për deri në vitin 2030, që Shqipëria ka përcaktuar brenda planit të dorëzuar, përfshijnë uljen e emetimeve të gazrave serrë për 18.7%, uljen e konsumit të energjisë për 8.4% dhe rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme të energjisë në konsumin final energjetik në 54.4%.

Në pjesën e rekomandimeve, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka theksuar se mënyra se si Shqipëria aktualisht prodhon energjinë elektrike pa emetime karboni, e vendos atë në pozitë shumë më të mirë krahasuar me palët tjera kontraktuese.

Ata kanë thënë se kjo i mundëson Shqipërisë të dedikojë resurse për dekarbonizimin e sektorëve tjerë, sikurse të sektorit të industrisë, që pritet të jetë ndër emetuesit më të mëdhenj në të ardhmën.

Sekretariati gjithashtu i ka rekomanduar Shqipërisë të përfshijë nevojat për investime dhe kostot tjera për secalin synim që ka paraqitur në draft-planin e dorëzuar.

Në të njejtën kohë, ata kanë kërkuar që politikat dhe masat të përfshijnë edhe caqe që mund të maten lehtë me qëllim të monitorimit të progresit.

Njëkohësisht, Sekretariati i ka rekomanduar Shqipërisë të zbatojë sistemin e tregtimit të emetimeve deri në vitin 2030. Sipas tyre, draft NECP-ja duhet të ofrojë informata shtesë mbi atë se si Shqipëria planifikon të bëhet neutral ndaj klimës në vitin 2050.

Kosova është ndër palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë që ende është duke përgatitur draft Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë. Vendet tjera që kanë paralajmëruar planet përfshijnë Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjen dhe Hercegovinën.

Qëllimi i këtij plani është të përcaktojë politikat për dekarbonizim deri në vitin 2030 dhe më tej, në pajtim me synimet e përcaktuara në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.