Kolombo, dhjetor – Shri Lanka planifikon që me pagesa mujore me çaj të përmbush obligimet financiare për importin e naftës nga Irani, ka deklaruar ministri i bujqësisë së këtij vendi, Ramesh Patirana.
Ai ka thënë që qeveria e tij planifikon që çdo muaj t’i dërgojë Iranit çaj në vlerë prej 5 milionë dollarë në mënyrë që të paguaj borxhin e tërësishëm për naftën e importuar nga Irani, i cili arrin në 251 milionë dollarë, transmeton BBC, përcjell Buletini Ekonomik.
Shri Lanka po kalon nëpër një krizë serioze financiare të cilën e kanë keqësuar humbja e të hyrave nga turizmi gjatë pandemisë së COVID-19.
Ministri Patirana, ka thënë se kjo mënyrë e pageses me çaj nuk thyen sanksionet e Kombeve të Bashkuara as të SHBA-së ndaj Iranit, sepse çaji llogaritet si ushqim, dhe mund të jetë edhe si ndihmë humanitare, ndërsa në transaksione nuk do të kyçet asnjë bankë e Iranit, të cilat janë në listën e zezë të SHBA-së./Buletini Ekonomik/