Për dekada të tëra, startup-et e teknologjisë në Silicon Valley kanë shpërblyer punonjësit e tyre me grante aksionesh dhe opsione aksionesh.
Opsionet e aksioneve janë kur një kompani u ofron punonjësve të saj një numër të caktuar të aksioneve për një çmim të caktuar, të cilat mund të shiten dhe blihen përpara një date të caktuar.
Punonjësit e hershëm të Uber, Snap dhe Slack ishin të parët në radhë duke përfituar kur kompanitë e tyre u bënë publike. Në fillim të nëntorit, kompania Expensify u kthye në publike duke bërë që 40% e punonjësve të saj të ktheheshin në milionerë.
Kjo kulturë e shpërblimit të bazuar në aksione është më e rrallë në mesin e startupeve evropiane, por gradualisht duket se kjo gjë po fillon të ndryshojë.
Një studim nga firma Index Ventures ka treguar se kapitali i rezervuar për stafin në startup-et europiane, për herë të parë po i afrohet niveleve të SHBA-së.
Studimi zbuloi se startup-et europiane në çdo fazë të rritjes kanë ndarë një pjesë më të madhe të kapitalit për punonjësit gjatë pesë viteve të fundit.
Startup-et europiane tani ndajnë ndërmjet 15% dhe 17% të kapitalit për punonjësit në Serinë D, duke iu afruar 20% deri në 23% që ndajnë startup-et në SHBA.
“Në Evropë, nuk kishte shumë kompani teknologjike të suksesshme dhe punonjës, të cilët mund të fitonin para nga aksionet e këtyre kompanive, kështu që njerëzit nuk e konsideronin seriozisht këtë opsion”, tha Martin Mignot, një investitor në Index.
“Rrjedha e kapitalit e ka bërë tregun më konkurrues, kështu që pronësia e punonjësve është tani një hap i rëndësishëm në tërheqjen e talenteve larg pagave të korporatave, ndërsa punonjësit e teknologjisë kanë fituar më tepër njohuri mbi këtë mundësi, pasi kanë parë bashkëmoshatarët e tyre në Deliveroo dhe Wise të pasurohen nëpërmjet kësaj metode”, shtoi Mignot.
Pavarësisht trajektores në rritje, grupet evropiane janë ende mesatarisht 3 pikë përqindje më të vogla se ato në SHBA. Punonjësit në role teknike dhe drejtuesit me përvojë në të gjitha funksionet e kompanive të tyre, kanë përfituar më shumë.
Index Ventures ka vënë në dukje politikat e ndryshueshme tatimore në Evropë si një arsye pse rajoni ka mbetur prapa SHBA-së. Politikëbërësit kanë ende një rol të rëndësishëm në mbështetjen dhe nxitjen e pronësisë së punonjësve./Business Insider