CEO i Tesla, Elon Musk, i frikësohet një recesioni dhe për këtë arsye ka reduktuar me 10% personelin në të gjithë botën.
Sipërmarrësi i ka thënë menaxherëve të fabrikës së automjeteve se ka një parandjenjë super negative lidhur me ekonominë. Ndërsa me anë të një mesazhi në Twiter, ai tha se recesionet kanë një rëndësi jetësore për pastrimin ekonomik.
Musk parashikon një recesion të fortë, shumë shpejt.
Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve Reuters Musk i kërkoi bashkëpunëtorëve të tij të ndërpresin punësimet e reja në të gjithë botën.
Tesla ka të punësuar më shumë se 100 mijë persona në botë. Pak ditë më parë Musk i urdhëroi ata që kthehen të gjithë në zyra dhe të kalojnë të paktën 40 orë në javë atje. Në rast të kundërt do të pushoheshin nga puna.
Një deklaratë që befasoi analistët të cilët janë të shqetësuar, ishte se Tesla do të humbasë talente për shkak të refuzimit të Musk për të pranuar punën nga shtëpia.
Ndër të tjera Musk iu përgjigj dhe pyetjeve në Twiter për sa i përket mundësisë reale të një recesioni.
Ai tha se ky është një lajm i mirë pasi për shumë kohë paraja është drejtuar tek njerëzit e gabuar. Vetë ai pranoi se Tesla ka qenë pranë falimentimit gjashtë ose shtatë herë.
Një falimentim që u shmang falë punës së Musk dhe ndihmës së miqve të tij sipërmarrës. Por Tesla ka marrë dhe ndihma të konsiderueshme publike në fillimet e saj./Scan tv/