Ende nuk njihen nga shteti e as nuk ka ligj për to, por po kërkohet që për kriptovaluta të paguhet tatim.
Një këso thirrje e ka bërë Administrata Tatimore e Kosovës, duke thënë se do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga monedhat digjitale. Në të kundërtën, mospaguesit e tatimit do të ndëshkohen.
Ky postim i ATK-së i ka hutuar paksa ata që merren me kriptovaluta.
“Nuk e njeh kriptovalutën, e tash po del ATK që thotë se duhet t’i paguajë tatimet për kriptovaluta, këtë nuk e kuptoj”, thotë Granit Kadolli, investitor në valuta digjitale.
Kadolli shton se, në mungesë të një rregulloreje të veçantë, do të detyrohen të paguajnë taksë më shumë se në shtetet tjera. Sipas tij, shteti deri tash u ka bërë dëm njerëzve të kësaj fushe.
“Nuk janë të interesuar me pagu 10%. Vetë shteti ua ka mundësuar që shumica prej tyre me shitë në tregun e zi sepse nuk mund t’i nxjerrin të hollat nga kriptovalutat në kreditkartela për shkak të ndalesës nga bankat komerciale në Kosovë”, thotë ai.
Se thirrja e ATK-së është e paqartë e thotë edhe profesoresha e ekonomisë, Albulenë Kastrati. Sipas saj, fillimisht kriptovalutat do të duhej të kategorizoheshin përmes ligjit.
“A do të trajtohen si kategori, si mjete financiare, si mallra, a vlen vetëm për personat joafaristë, afaristë, apo edhe personat juridik, prandaj nuk kemi bazë ligjore për këtë”, shprehet Kastrati për Klan Kosova.
Tashmë ekziston një nismë nga komisioni parlamentar për Ekonomi, për krijimin e ligjit për kriptovalutat, por që ende nuk ka nisur as draftimi i tij.
Sipas informacioneve të televizionit, Kuvendi po pret që të angazhojë edhe ekspertë të huaj në përpilimin e ligjit, pasi kjo është fushë shumë specifike.
Videon e plotë mund ta shihni KËTU.