Vendet arrijnë ‘marrëveshje historike’ për të ulur kostot tregtare

Anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) janë dakordësuar për një marrëveshje historike e cila mund të ulë kostot tregtare me 113 miliardë paund në vit.

Plot 67 anëtarë ranë dakord të reduktojnë burokracitë që lidhen me licensimet dhe kualifikimet.

Nënshkruesit e marrëveshjes, ku përfshihen Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, BE dhe Kina, janë një pakicë e 164 anëtarëve të OBT-së, por përfaqësojnë 90% të të gjithë tregtisë së shërbimeve.

Reklama e sponzorizuar

Shërbimet bankare, teknologjia e informacionit, telekomunikacioni, arkitektura dhe inxhinieria janë ndër sektorët e shërbimeve që mund të kenë përfitimet më të mëdha nga marrëveshja.

Anne-Marie Trevelyan, Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare në Mbretërinë së Bashkuar, tha se MB do të fitojë nga kjo marrëveshje, pasi është eksportuesja e dytë më e madhe në botë e shërbimeve.

Ajo tha se marrëveshja tregoi “pikërisht llojin e bashkëpunimit që duam të shohim në OBT dhe tregon se kjo organizatë mund të bëjë rregulla tregtare të përshtatshme për shekullin e 21-të”.

Forumi i politikave ndërkombëtare, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka vlerësuar se implementimi i rregulloreve më të thjeshtëzuara në vendet e G20 – 20 ekonomitë kryesore të botës – mund të reduktojë kostot tregtare deri në 6%.

Departamenti për Tregtinë Ndërkombëtare tha se rregullat e reja do ta bëjnë më të lehtë për bizneset, veçanërisht për ato të vogla dhe të mesme, të “hyjnë në tregjet e huaja dhe të marrin autorizimin për të eksportuar jashtë shtetit”.

“Bizneset britanike identifikojnë vazhdimisht procedurat komplekse administrative si pengesa për të hyrë në tregjet ndërkombëtare,” tha qeveria.

“Sapo të hyjnë në fuqi rregullat e reja, bizneset do të përfitojnë nga përpunimi i aplikimeve për licensim në një kohë të shpejtë, pranimi i kopjeve elektronike të kualifikimeve nga autoritetet kompetente dhe heqja e tarifave të paarsyeshme dhe të fshehura.”

‘Një arritje kuptimplotë’

Qeveria tha se kursimet më të mëdha nga tregtia ka të ngjarë të jenë në sektorin e financës dhe të teknologjisë, duke ndihmuar kështu “që Londra të ruajë pozicionin e saj si qendra kryesore financiare e Europës”.

Miles Celic, shefi ekzekutiv i organit të sektorit financiar City UK, tha se marrëveshja ishte “një hap thelbësor drejt heqjes së llojeve të barrierave tregtare që hasen më shpesh nga eksportuesit e shërbimeve”.

Ndërkohë, George Riddell, drejtor i strategjisë tregtare të EY, tha se marrëveshja ishte një “arritje kuptimplotë që ka vlerë reale tregtare për ofruesit e shërbimeve në mbarë botën”.

Forumi i Shërbimeve Europiane (ESF), i cili përfaqëson interesat e sektorëve europianë të shërbimeve, përshëndeti marrëveshjen e shpallur në Gjenevë, duke thënë se e kishte kërkuar një sistem rregullator të tillë për më shumë se 20 vjet.

OBT, e cila administron sistemin e rregullave që menaxhojnë tregtinë globale, synon t’i fusë rregullat e reja në fuqi në vitin 2023.

Analiza:

Gjëja më e rёndёsishme në lidhje me këtë marrëveshje mund të jetë fakti qe ajo ka ndodhur realisht.

Kjo ёshtë marrëveshja e parë e negociuar për shërbimet në OBT qysh prej një çerek shekulli. Pra, ka një rëndësi të madhe simbolike.

Grupet e biznesit i kanë mirëpritur ngrohtësisht lëvizjet për harmonizimin e rregulloreve dhe për lehtësimin e shitjes së shërbimeve në mbarë botën. Por do të na duhet të presim dhe të shohim se sa më e lehtë do tё bëhet ajo në realitet.

OECD vlerëson se zbatimi i rregulloreve më të thjeshtёzuara në vendet e G20 mund të reduktojё me 150 miliardë dollarë (117 miliardë £) kostot e tregtimit të shërbimeve çdo vit. Por teoria duhet të vihet në praktikë.

“Marrëveshjet e OBT-së mundet të mos jenë gjithmonë në kryetitujt e lajmeve, ato mund të mos tingëllojnë seksi,” pranoi drejtorja e përgjithshme e organizatës, Ngozi Okonjo-Iweala.

Por, argumentoi ajo, ky rast tregon se ata mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë.

OBT-ja e ka pasur shumë të vështirë të kishte një ndikim vitet e fundit kur ka vepruar me konsensus, që do të thotë se të gjitha vendet anëtare duhet të bien dakord.

Kjo marrëveshje – e cila përfshin 67 vende që përfaqësojnë 90% të tregtisë globale të shërbimeve – ofron një model për “koalicionet e atyre që janë të gatshëm” për të bërë progres në të ardhmen në çështje të tjera, të tilla si tregtia elektronike dhe shqetësimet mjedisore./BBC/