Kryetari i Grupit Punues për Formimin e Fondit Sovran, Besnik Pula ka njoftuar se ai së bashku me grupin punues kanë dorëzuar draftin përfundimtar të Koncept Dokumentit për Themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.
Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, ai tha se ky dokument përbën bazën konceptuale dhe strategjike për themelimin e Fondit Sovran, përfshirë konceptin dhe hapat për vendosjen e bazës ligjore dhe institucionale të Fondit.
Grupi punues përbëhet nga Arta Hoxha, Edison Jakurti, Emanuel Bajra dhe Tea Blakaj Hoxha të cilët janë të koordinuar nga këshilltari Pula.
“Me këtë rast dua të falemnderoj të gjithë anëtarët e Grupit Punues, të cilët pa kursim dhanë një kontribut të veçantë profesional në ndërtimin dhe elaborimin e konceptit dhe në hartimin e dokumentit në fjalë. Dokumenti është në kuptimin e plotë të fjalës rezultat i një pune të përbashkët”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera ai tha se ky është vetëm hapi i parë në rrugën drejt themelimit të Fondit Sovran dhe se Qeverinë e presin punë të shumta dhe të mëdha.
“Për informim të drejtë: publikimi i Koncept Dokumentit në fjalë nuk është në autoritetin e Grupit Punues. Sipas procedurave të parapara, ai bëhet publik pas shqyrtimit dhe miratimit nga Komiteti Ekzekutiv i Qeverisë së Kosovës” përfundon njoftimi../Buletini Ekonomik/