ZRRE propozon rritje të çmimit të rrymës për 9 për qind

Fotografi ilustruese

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ZRRE ka propozuar rritje të energjisë elektrike nga ky vit, për 9 për qind.

Në raportin për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, që e ka lëshuar për konsultim publik, ZRRE thotë se kjo rritje  reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, pas rritjes së çmimeve të importit të energjisë.

“Propozimi ynë është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kËh të konsumatorëve shtëpiak”, thuhet në raport.

Reklama e sponzorizuar

Në raport, thuhet se, niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët. Sipas këtij propozimi, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj.

“Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për €26.98, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh me €50.89”, thuhet në raport.

Në një proces tjetër të vlerësimit të ndikimit të çmimeve në të hyrat maksimale të lejuara për akterët e sektorit të energjisë elektrike, ZRRE ka vlerësuar se kostoja e furnizimit gjatë vitit të ardhshëm tarifor është 446.7 milionë euro, ndërsa të hyrat që mund të mbulohen nga shitjet me tarifën ekzistuese janë 314 milionë euro.

“Propozimi i ZRRE-së është që kostot shtesë të mbulohen përmes një strukture tarifore me dy blloqe, të ndara në kufirin 600 kWh pasi që deri në këtë nivel të konsumit mujor konsumatorët mund të furnizohen nga kapacitetet vendore dhe me tarifë mesatare të ngjashme me tarifën ekzistuese. Në këtë mënyrë, tarifat për konsumin në bllokun e parë reflektojnë koston mesatare të ofrimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Ndërkaq për konsumatorët që konsumojnë mbi 600 kWh duhet importohet energji pasi që kjo nuk mund të ofrohet nga kapacitetet vendore. Rrjedhimisht tarifa për këta konsumatorë duhet të reflektojë çmimin e importit për energjinë e konsumuar mbi 600 kWh”, thuhet në raport./Buletini Ekonomik/