Kundërshtarët e rivendosjes së bllok-tarifave, kështu si kanë qenë deri më 2017, madje akuzojnë të gjithë ata individë, e sidomos asociacionet e ndryshme, që këtyre ditëve publikisht u deklaruan në favor të rivendosjes së bllok-tarifave se po ia bëjnë “argatin” KEDS-it dhe në këtë mënyrë po e ndihmojnë që ta ngritin dy herë çmimin e rrymës.
Mehmet GJATA
Bllok-tarifat ishin pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë deri në vitin 2017, kur u larguan pas kërkesave të vazhdueshme të një pjese të shoqërisë civile, opozitës dhe konsumatorëve. Ato parashihnin që kur një familje shpenzonte më shumë se 600 kWh energji në muaj, çmimi ishte më i lartë në krahasim me familjet që shpenzonin nën 600 dhe nën 300 KWh në muaj.
Sipas përkrahësve të idesë së rivendosjes së bllok-tarifave në konsumin e energjisë elektrike në Kosovë, ato nxisin kursimin e energjisë elektrike nga konsumatorët për shkak të rregullit të thjeshtë: ai që shpenzon më pak rrymë, paguan më lirë çmimin e kilovatit të shpenzuar. Kjo është vetëm njëra anë e maedaljes.
Ana tjetër e medaljes, shpërfaqet te qytetarët, pra konsumatorët e rrymës, të cilët janë të shumtë në Kosovë, që e kundërshtojnë fuqimisht rikthimin e bllok-tarifave, duke i vlerësuar ato si fare të padrejta, që cënojnë të drejtat e konsumatorit, të drejtat komerciale të tij dhe si të tilla, cënojnë edhe të drejtat elementare të njeriut.
Kundërshtarët e bllok-tarifave, kështu si kanë qenë të aplikueshme deri më 2017, madje akuzojnë të gjithë ata individë, e sidomos asociacionet e ndryshme, që këtyre ditëve publikisht u deklaruan në favor të rivendosjes së bllok-tarifave, se po ia bëjnë “argatin” KEDS-it dhe në këtë mënyrë po e ndihmojnë që ta ngritin dy herë çmimin e rrymës. Sepse, sipas tyre, fare të pakta në numër janë familjet kosovare, madje simbolike, që do të kishin favore nga rivendosja e bllok-tarifave, ndërsa numri dërrmues do të ishte ai që do të paguajë dy herë çmimin e ngritur të rrymës- një herë nga rritja e pritshme dhe e paralajmëruar nga KEDS-i dhe thuaja nga shumica absolute e institucioneve shtetërore vendimmarrëse dhe së dyti nga çmimi i ngritur, mbase edhe më shumë nga rivendosja e bllok-tarifave.
Sipas kundërshtarëve të bllok-tarifave, një familje mesatare për nga numri i anëtarëve, vetëm me pajisjet elektroshtëpiake (një shporet, një lavatriçe, një pjatalarëse, një fshesë elektrike dhe një bojler), le të kursejë sa të dojë, nuk mundet të mbetet nën 600 kilovat-orë të konsumuara gjatë një muaji sa parashihet me bllok-tarifa për të pasur benefite nga bllok-tarifat.
Ndërsa, kufiri tjetër- ai prej 300 kilovat-orësh, i paraparë për më shumë benefite në çmim të rrymës, as që mund të bëhet fjalë të arrihet nga ndonjë familje kosovare, edhe po t’i mungonin gjysma e pajisjeve elektroshtëpiake.
Fundja, këto llogari do të bëhen fare më të qarta, nëse kihet parasysh e dhëna e bërë publike sot nga vet Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), e cila duke publikuar të dhënat e çmimeve të rrymës në Kosovë dhe në vendet fqinje për një muaj, e merr mesataren e 1 mijë kilovat-orëve të shpenzuara.
Sipas KESCO-s, për një muaj një konsumator shtëpiak në Kosovë, për 1 mijë kilovat-orë, paguan mesatarisht 58.43 euro. Kjo është e dhënë zyrtare e KESCO-s. Nuk bëhet fjalë për 300 e 600 kilovat-orë shpenzime mesatare nga konsumatori edhe i varfër, siç është kosovari shumicë.
Prandaj, çmimet që do të pasonin pas bllok-tarifave të rivendosura eventualisht, do ta shtonin ndjeshëm çmimin plus dhe do ta godasin drejtëpërdrejt kosovarin, edhe të varfërin pra. Në këtë mënyrë, dalin goxha të pakuptimta dhe të njëanshme kërkesat e këtyre ditëve, ndër to edhe nga institucione goxha me emër, për të rivendosur bllok – tarifat. Pa dëshmuar me ndonjë analizë dhe ndonjë hulumtim serioz, këto zëra po insistojnë se “rikthimi i bllok-tarifave po shihet si zgjidhja më e mirë për tejkalimin e situates”.
Pati këto ditë në mediat kosovare lajme, që duke u thirrur në “burime të tyre”, kanë njoftuar se “një nga masat që po trajtohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për menaxhimin e situatës për furnizim me energji elektrike është vendosja e bllok-tarifave. Në fakt, nga ky organ nuk kanë konfirmuar asnjë nga masat që po shqyrtohen, veçse kanë thënë se janë duke u kryer analiza dhe vlerësimet të cilat shumë shpejt do të bëhen publike përmes “Raportit Konsultativ”.
Edhe KEDS-i, sado që haptas nuk është deklaruar për rivendosjen e bllok-tarifave, tërthorazi del të jetë pro tyre. Sipas KEDS-it, “largimi i bllok-tarifave ndikoi në rritjen e konsumit të energjisë”.
“Kjo, pasi një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve kanë filluar që të ngrohen me rrymë. Kjo ka bërë që vjet dhe sivjet të krijohen edhe një numër i konsiderueshëm i mbingarkesave në rrjet, të cilat janë evituar dhe po evitohen çdo ditë nga KEDS-i”, ka thënë për medien kosovare, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Aktualisht në Kosovë, siç ka bërë të ditur ai, rreth 65-70 për qind e energjisë konsumohet në amvisëri, ndërsa pjesa tjetër nga konsumatorët komercialë.
“Sa i përket konsumit nga amvisëritë, atëherë kjo vjen si pasojë e përdorimit masiv për ngrohje. Pra, shpenzuesi më i madh janë kaldatë që funksionojnë me energji elektrike dhe aty ku janë të vendosura marrin rreth 75 për qind të konsumit total”. Ndërsa, nëse nuk ka kalldaja, atëherë bojleri merr rreth 45 për qind të konsumit. Ndërsa pajisjet tjera, si shporeti elektrik, enëlarësja, rrobalarësja etj., janë shpenzues më të vegjël”, ka deklaruar Buzhala.
Deri tani, përkrahësit më të zëshëm të rivendosjes së bllok-tarifave janë përfaqësuesit e Institutit të Politikave Zhvillimore “INDEP”, sipas të cilëve “rivendosja e bllok-tarifave nuk është dashur të diskutohet sepse të njëjtat nuk është dashur të hiqen fare”.
Sipas tyre, rivendosja e këtyre bllok-tarifave është rruga e duhur që të zbutet kërkesa për energji.
“Çfarëdo ndryshimi i çmimit duhet t’i prekë ata që shpenzojnë më shumë energji dhe jo ato familje që s’mund të përballojnë rritje të çmimit të energjisë e që zakonisht janë familjet që nuk harxhojnë shumë energji”, kanë thënë nga INDEP për medie.
“Sa më shumë që të përshkallëzohen konsumatorët nga ata që shpenzojnë më së paku deri tek ata që shpenzojnë më së shumti, aq më pozitive do të jetë për kursimin e energjisë elektrike në përgjithësi”, kanë thënë tutje përfaqësues të INDEP-it, pa saktësuar se kush do të përfitojë nga paraja e madhe që do të paguhet nga konsumatorët hargjues të më shumë se 600 e 300 kilovat-orëve.
Ose sa për qind i bie që për shumicën absolute të konsumatorëve kosovarë të energjisë elektrike të shtrenjtohet rryma, edhe pas ngritjes së paralajmëruar të çmimit të saj nga KEDS-i. E kjo ngritje nuk do të jetë as minimale as e pavërejtshme.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar se gjatë ditëve në vijim pritet të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Buzhala ka deklaruar se KEDS-i ia ka bërë kërkesën Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE-së) për rritje të çmimit në bazë të shpenzimeve që janë bërë dhe sipas tij, kjo rritje do të jetë 30 deri në 40 për qind.
“Duhet ta cekim se do të ketë edhe një shqyrtim të rregullt pastaj në pranverë. Për tarifat që hyjnë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti e deri më 31 mars të vitit vijues. Është proces i rregullt, pritet sërish të ketë rritje. Por, ne nuk jemi autoriteti që vendos është ZRRE-ja”, pati shtuar Buzhala.
Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë. Sa do të paguajnë pas ngritjes së çmimit të pritshëm dhe pas rivendosjes eventuale të bllok-tarifave, mbetet të shihet. Por sinjalet e dërguara në publik, duhet ta bëjnë shumë serioz, analitik dhe doemos njohës të mirë të rrethanave kosovare ZRRE-në, para se të marrë ndonjë vendim rreth çështjeve të trajtuara sot e këtu. /Buletini Ekonomik/