Policia e Kosovës ka njoftuar se dje në fshatin Surkish të Podujevës ka konfiskuar tri aparate për prodhimin e kriptovalutave.
Në njoftimin e Policisë thuhet se “me datë 06.01.2022 rreth orës 16:00, njësitet nga Stacioni Policor i Podujevës së bashku me Njësitin e Reagimit të Shpejtë, kanë mbështetur ekipe të KEDS në fshatin Surkish ku janë gjetur dhe sekuestruar tre aparate për prodhimin e kriptovalutave”, , transmeton Telegrafi.
‘Marrë parasyshë procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në vendin tonë, për shkak të krizës energjetike.
Lidhur me këtë vendim, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se vendimi është marrë duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.
Ndryshe, Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur më 4 janar 2022, se do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Kosovës për shkak të krizës energjetike.