Kosova A, ka mundur shumë e shumë herë të rindërtohet dhe të bëhet e tëra “fringo”, veç me mjetet tona financiare. Pra, pa hua, apo kredi, çfardo qofshin ato, të buta apo me kamata në stratosferë. Kosova në këto 20 e më shumë vjet ka mundur, madje edhe pa ndonjë sakrificë të veçantë dhe të madhe, vet të rindërtojë, apo rivitalizojë të tërë kompleksin elektroenergjetik të stërvjetëruar Kosova A. Dështuam, nuk e bëmë, dhe tani ka gjithnjë e më pak mundësi.
Mehmet GJATA
Kriza elektroenergjetike e shpërfaqur së fundi paksa më ashpër në vend dhe paralajmërimet për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike në bazë të kërkesave të KEDS-it, por edhe nga rikthimi i bllok-tarifave në konsumin e Kosovës, nxitën polemika goxha “të nxehta”, para se gjithash pozitë – opozitë në Kuvend, por edhe jashtë tij. Dolën në publik këtyre ditëve shumë teza, e hipoteza se “kush dështoi” dhe për fajin e kujt” erdhëm në këtë gjendje sa i përket energjisë elektrike”, u shpërfaqën shumë “të mençur”, të tillë që i dijnë të gjitha çështjet energjetike, por edhe sish që me kohë dhe kaherë i kanë ditur “problemet” në kapacitetet prodhuese kosovare, por që fjala e tyre nuk qenka dëgjuar asnjëherë.
Natyrisht, dolën në sipërfaqe edhe gënjeshtra ordinere, teori konspiracioni dhe tendenca fare të hapta për t’i “larë duartë” nga mëkatet e tyre dhe nga hisja e tyre në dështimet evidente njëzet e sa vjeçare në zhvillimet elektroenergjetike kosovare në vitet e pasluftës. Hiç polemikat në parlamentin e vendit, që thuaja të gjitha ishin të ngjyrosura politikisht, dhe për të cilat tashmë është i njoftuar deri në detaje opinioni si dhe për bartësit e këtyre polemikave politike, këtyre ditëve ra në sy një polemikë, që ishte paksa më e veçantë dhe e shkëputur nga numri i madh i debateve dhe deklaratave individuale të shumë kosovarëve – zyrtarë dhe ish-zyrtarë. E kemi fjalën këtu për deklaratën e Isa Mustafës për firmën gjermane “Bilfinger”. Siç dihet, ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, të hënën ka deklaruar se përfaqësuesit e “Bilfinger” janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”. Sipas Mustafës, e gjitha çka kanë ofruar ata kanë qenë vetëm 15-20 faqe PowerPoint.
“Është e vërtetë se në takimin tim, si kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai tha se kanë qenë të interesuar që projektin ta realizojnë me kompaninë Bilfinger, por, sipas tij, kompania ka qenë e painteresuar. “Kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint. Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend.
“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shkruar Mustafa, duke iu kundërvënë pak a shumë akuzave të zyrtarëve aktual dhe kryeministrit Kurti, për një nga dështimet e rindërtimit të Kosovës A.
Dhe, nuk vonoi shumë, dhe erdhi reagimi i drejtëpërdrejt i një ish-diplomati në vendin tonë, i cili duke cituar statusin e Mustafës në Facebook, ka thënë se ato që ka shkruar Mustafa janë të pavërteta. Më konkretisht, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka cituar statusin e Mustafës në Facebook, duke thënë se ato që ka shkruar Mustafa janë të pavërteta. Bosch ka shkruar në Facebook se ka qenë i përfshirë personalisht dhe se Ambasada e Holandës dhe ajo e Gjermanisë kanë bërë gjithçka për ta bindur Qeverinë se përmirësimi i katër prej pesë njësive ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por nuk kishte asnjë rezultat.
“Për fat të keq, e pavërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada gjermane dhe ambasada holandeze, bëmë gjithçka për ta bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një mundësi e humbur që energjia për relativisht pak para të sigurohej duke filluar nga periudha rreth viteve 2017/18”, ka shkruar Bosch.
Unë personalisht i besoj ish-diplomatit holandez, i cili sa shërbeu në vendin tonë tregoi dhe dëshmoi dinjitet, seriozitet, shkathtësi diplomatike dhe sinqeritet në raport me Kosovën dhe banorët e saj.
Sidoqoftë, tani thuaja se nuk është edhe aq me rëndësi se kush ka të drejtë në këtë debat polemizues. E rëndësishme, është vetëm sa për informacion dhe sa për t’u ua kujtuar të gjithë atyre “mëkatarëve” se mëkatet për dështimet eventuale edhe personale nuk fshihen edhe aq kollaj dhe se ka dikush që i shënon dhe i ruan këto shënime, edhe për rastet kur i kanë dëbuar investitorët e huaj të interesuar për të angazhuar mjetet e tyre në ndërtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë.
Mirëpo, ma thotë mendja se me rëndësi është që opinioni kosovar ta dijë se Kosova A, ka mundur shumë e shumë herë të rindërtohet dhe të bëhet e tëra “fringo”, veç me mjetet tona financiare. Pra, pa hua, apo kredi, çfaredo qofshin ato, të buta apo me kamata në stratosferë.
Kosova në këto 20 e më shumë vjet ka mundur, madje edhe pa ndonjë sakrificë të veçantë dhe të madhe, vet të rindërtojë, apo rivitalizojë të tërë kompleksin elektroenergjetik të stërvjetëruar Kosova A. Ka pasur edhe para, vetëm ka qenë e nevojshme që të gjendet, apo të konsultohet një njeri i mençur, racional dhe i logjikshëm, për të orientuar këto mjete në vendin e duhur. Pra, në vend se të orientohen në rrugët e panumërta, por edhe në autostradën e fundit, që ka mundur, pa na lënë edhe aq keq, të presë ditë më të mira, të kenë adresë Kosovën A. Askush nuk mund ta mohojë se me 200 e më së shumti 300 milionë euro Kosova A do të rindërtohej, do të bëhej moderne dhe ndotëse minimaliste, thuaja e pavërejtshme e ambienit. Dhe kjo shumë e mjeteve, është as gjysma e parave të investuara në autostradën drejt Shkupit.
Për të qenë më i kuptueshëm rreth kostos së rindërtimit të Kosovës A, po e përfolim një intervistë të Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqit, dhënë një medies kosovare, ku ai thotë se çmimi i rindërtimit të një blloku të Kosovës A, kalkulohet nga 80 në 120 milionë euro. Kjo do të thotë se nëse kostoja e rindërtmit të një blloku kushton 800 milionë euro, çmimi i tërësishëm i rindërtimit të tre blloqeve të parashikuar për t’i rindërtuar (A3, A4 dge A5) do të kushtonte 240 milionë, ndërsa po ta llogarisim çmimin më të lartë të akceptuar nga z. Krasniqi, atë prej 120 milionë euro, kostoja për rivitalizimin do të ishte 360 milionë euro. Prapë nuk do të tejkalohej gjysma e çmimit të autostradës drejt Shkupit.
Këto shifra dëshmojnë se kur Kosova ishte potente për të ndërtuar dy autostrada shumë të kushtueshme dhe mijëra kilometra rrugë asfalti gjithndej nëpër Kosovë, ka mundur vetë, pra me mjete të veta, pa e shtrirë dorën për të kërkuar nga dikush para hua, ta rindërtojë Kosovën A. Dhe në këtë mënyrë mos të vie kjo gjendje për faqe të zezë elektroenergjetike, megjithë këto resurse që na i ka dhuruar natyra, mu tek dera dhe mu në sipërfaqe të tokës. Këto resurse nuk i kanë shumë shtete të botës. Ne i kemi, por nuk dijtëm t’i shfrytëzojmë. Tani, është shumë më vështirë të sheshohet mundësia për ta rindërtuar këtë kompleks elektroenergjetik aq të nevojshëm për Kosovën. Është vështirë, sepse tani reduktimet e kushtëzuara nga bota të kapaciteteve elektroenergjetike në bazë të qymyrit, stopimi i plotë i kredidhënies nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe paralajmërimi i ashpër për vendosjen e një takse të kushtueshme për çdo tonelatë thëngjill të djegur për të prodhuar rrymë, e bëjnë thuaja të pamundshëm rindërtimin eventual të Kosovës A.
Në këtë situatë, vendimmarrësit tanë duhet me urgjencë të përcaktohen për ndërtimin e kapaciteteteve të mundshme të energjisë së rinovueshme në bazë të erës dhe të diellit. Veçmas, është me interes, që të ngutemi të ndërtojmë në vendet e identifikuara si të mundshme për të ndërtuar parqe energjetike në bazë të erës dhe sosh solare. Në këtë kontekst, pse mos të sheshohet sa më shpejtë edhe mundësia e ndërtimit të një hidrocentrali 200-300 megavatësh në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes me autoritetet shqiptare. Ideja për këtë hidrocentral ka zënë të qarkullojë gjithnjë e më shumë, sidomos pas shpërfaqjes së krizës më të ashpër elektroenergjetike në vend. /Buletini Ekonomik/