Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme ka sekuestruar 67 aparate për mihjen e kriptovalutave në Mitrovicën e Jugut.
Sipas njoftimit, bastisja ka ndodhur në një banesë në rrugën “Fan Noli”.
“Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin është identifikuar edhe një person i dyshimtë.
Disa orë më herët sekuestrime të tilla pati edhe në Podujevë. Në këtë komunë u sekuestruan tri aparate për mihje të kriptovalutave.
Vendimi për ndalimin e mihjes erdhi ditë më parë nga Qeveria për shkak të krizës energjetike. Të enjten ministri i Financave, Hekuran Murati, e arsyetoi vendimin duke thënë se po kursehet xhepi i qytetarëve.
“Çdo kilovat që konsumohet përtej asaj që prodhohet, importohet me çmime enorme. Importi ka pasur një rast që ka shkuar në 500 euro për megavat në orë e që i bie 50 centë për kilovat në orë, që domethënë 50 centë duhet me pagu importin, kurse konsumatori e në këtë rast mihja për kriptovalutë e paguan 7 centë”, është shprehur ai.