Rizvanolli: Tarifa mesatare për amvisëritë mbetet më e ulëta në Evropë edhe nëse rritet tarifa sipas propozimit të ZRRE-së

Artane Rizvanolli
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka sqaruar edhe njëherë rritjen e energjisë elektrike në vend pas propozimit të ZRRE-së, përmes një njoftimi në facebook.

Raporti konsultativ që pasqyron shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë, bëri jo pak bujë në publik ditëve të fundit, dhe sot në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seancë plenare për diskutimin e gjendjes.

Pas disa deklaratave të deputetëve të opozitës sot në seancë, të cilët thanë se me tarifat e reja të energjisë, Kosova do të paguajë energji njësoj sikurse disa vende të Evropës, duke përmendur kështu Italinë, ka reaguar edhe ministrja.

Reklama e sponzorizuar

Sipas opozitës, çmimi i energjisë në Kosovë po bëhet 0.21 cent për kilovat në orë.

Ndërsa, Rizvanolli iu përgjigj atyre, duke thënë se tarifa mesatare për konsumatorët shtëpiakë mbetet më e ulëta në Evropë, me përjashtim të Ukrainës, edhe nëse rritet tarifa në përputhje me propozimin e ZRrE-së dhe subvencionin e Qeverisë.

“Sot në Kuvend u thanë shumë të paverteta rreth tarifave të energjisë të propozuara nga ZRrE dhe të subvencionuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Një nga më të rëndat ishin deklaratat e disa deputetëve të opozitës se çmimi i energjisë po bëhet 21 cent/kWh, ngjashëm me vendet si Italia. Për hir të opinionit publik dua të përmirësoj këto të pavërteta: Në fakt, tarifa (mesatare) për konsumatorët shtëpiakë mbetet më e ulëta në Evropë, me përjashtim të Ukrainës, edhe nëse rritet tarifa në përputhje me propozimin e ZRrE dhe subvencionin e Qeverisë”, ka shkruar Rizvanolli në njoftim, duke ia bashkangjitur statusit të saj edhe grafikën më poshtë. /Buletini Ekonomik/