Pal Lekaj: Rritja enorme e çmimeve po rrezikon mirëqenien e qytetarëve

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, në seancën e sotme ku po diskutohet lidhur me rritjen enorme të çmimeve ka thënë se Kosova ka normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon. 

Lekaj u shpreh se kjo rritje enorme e ka bërë të paarritshme shportën familjare për shumë familje.

“Qytetarët e Kosovës nuk munden t’i përballojnë këto çmime dhe nuk e meritojnë që mirëqenia e tyre të jetë peng i ngritjes enorme të çmimeve”, ka thënë ai.

Tutje, Lekaj kërkoi nga Qeveria që të ndërhyjë për ta normalizuar gjendjen.

“Megjithëse ekonomia e Kosovës është e bazuar në ekonomi të tregut të lirë, ne si grup parlamentar mendojmë se duhet të ketë ndërhyrje të menjëhershme të shtetit, qoftë me përcaktimin e çmimeve për produktet themelore ushqimore, qoftë me inspektim apo edhe me rezerva shtetërore”, deklaroi Lekaj.