ATK: Gjobat mund të paguhen vetëm 50%, nëse paguhen brenda 15 ditëve

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit se nëse paguajnë gjobën brenda 15 ditëve, ata do të lirohen 50 për qind nga shuma e gjobës së shqiptuar dhe në këtë rast procedura e ankimimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur.

Sipas ATK-së, ky vendim vlenë pas aprovimit të Rregullorës së brendshme të ATK-së nr. 01/2022 mbi Përcaktimin e procedurave për funksionimin e Njësive organizative për Gjoba dhe Ndëshkime (ZGjoNA), e cila fillon të zbatohet nga data 01.02.2022.

Në një njoftim në Facebook të lëshuar nga ATK-ja thuhet se me këtë Rregullore janë përcaktuar edhe procedurat pas vendimmarrjes nga ZGjoNA.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, bazuar në këtë Rregullore, tatimpaguesit ndaj të cilëve ZGjoNA shqipton gjoba fikse për shkelje të legjislacionit tatimor, kanë mundësinë që të përfitojnë zbritje nga pagesa e tërësishme e shumës së gjobës.

Tutje, siç thonë ata, tatimpaguesi i cili nuk paguan gjobën prej pesëdhjetë përqind (50%) brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh, obligohet të paguaj gjobën prej njëqind përqind (100%) të shumës së përcaktuar me Vendim nga ZGjoNA.

“Të drejtën për të përfituar nga pagesa e gjobës vetëm prej pesëdhjetë përqind (50%) e kanë të gjithë tatimpaguesit, duke filluar nga data 01.02.2022”, përfundon njoftimi i tyre./Buletini Ekonomik/