Deri në nëntor të vitit 2021, bankat komerciale që operojnë në vend kanë pasur fitim të pastër gjithsej 107.5 milionë euro.
Kështu, vetëm në muajin nëntor, ato realizuan profit neto prej 7.4 milionë eurove më shumë sesa një muaj më herët, pasi në fund të muajit tetor fitimet e tyre neto ishin në vlerën e 100.1 milionë eurove.
Në bazë të raportit mujor të sistemit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), thuhet se në muajin nëntor 2021, sektori bankar ka shënuar të hyra në vlerë të gjithsej 292.5 milionë eurove, nga të cilat 205.9 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi, ndërkohë shpenzimet operative të bankave në nëntor kapën vlerën prej 184.9 milionë eurove.
Tutje në këtë raport theksohet se depozitat e qytetarëve arritën në 4,672.3 miliardë euro, prej të cilave 3,253.8 ishin depozita të ekonomive familjare, 876.3 milionë euro ishin depozita të korporatave jo financiare dhe 209 milionë të korporatave tjera financiare.
Krahas depozitave, kreditë në sektorin bankar në këtë periudhë arritën në 3,696 miliardë euro, ku për ekonomitë familjare janë lëshuar kredi në vlerë të 1,384.8 miliardë eurove, kurse për korporatat jo financiare u lëshuan kredi në vlerë të gjithsej 2,299.9 miliardë eurove.
Norma efektive e interesit në kredi gjatë muajtin nëntor të 2021-tës ishte 5.6%, ku për ekonomitë familjare ishte 6.0%, për kreditë konsumuese 6.4% dhe për kreditë hipotekare 4.8%.
Poashtu në këtë periudhë, vlera e gjithsej aseteve të bankave në Kosovë ishte 5 miliardë e 794 mijë e 300 euro. Ndryshe, numri i bankave që funksionojnë në Kosovë aktualisht është njëmbëdhjetë (11), prej të cilave nëntë banka janë me kapital të huaj dhe vetëm dy banka janë me kapital vendor.(Blendrita Avdiu) /Buletini Ekonomik/