Cilat do të jenë objektivat kryesore të Strategjisë Kombëtare për Energjinë e Kosovës?

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Drafti i Strategjisë Kombëtare për Energjinë e Kosovës 2022-2031, ka disa ditë që është vënë në diskutim publik për të gjithë ekspertët e fushës, institucionet relevante dhe shoqërinë civile.

Sipas krerëve të institucioneve qeveritare në vend, kjo strategji do të ketë objektiva mjaft ambicioze, drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit, si dhe do të përfshijë praktikat më të mira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Dje, më 17 janar, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbajtur një takim konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile, Akademisë së Shkencave, universiteteve dhe ekspertë të pavarur për hartimin e Strategjisë së Energjisë për vitet e ardhshme 2022-2031.

Reklama e sponzorizuar

Objektivat kryesore të kësaj Strategjie, sipas njoftimeve nga ana e ministrisë, do të jenë këto: rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji në vend, si për amvisëritë ashtu edhe për bizneset, përballueshmëria financiare për konsumatorët, rruga drejt procesit të dekarbonizimit, rritja e energjisë së pastër, si dhe integrimi rajonal energjetik.

Kjo Strategji do të jetë në diskutim publik edhe për disa ditë, ndërsa si objektiv për finalizimin e draftit përfundimtar është marsi i vitit 2022, përcjell Buletini Ekonomik.

“Është tejet me rëndësi, që ne të vazhdojmë që përgjatë procesit të hartimit të strategjisë kombëtare të energjisë të kemi të përfshirë të gjitha palët, ashtuqë strategjia të pasqyrojë vizion të përbashkët për të ardhmen energjetike të kosovës por edhe që të ketë përkrahje dhe të jetë e zbatueshme”, pati thënë ministrja Rizvanolli në fund të vitit 2021, gjatë prezantimit të Strategjisë energjetike.

Tutje, sipas deklaratave të mëhershme të ministres Rizvanolli, strategjia dhjetëvjeçare do të ketë rol edhe në tranzicionin energjetik për dekarbonizim dhe energji të pastër.

“Kjo strategji do të siguroj tranzicion energjetik për vendin tonë. Rruga që na udhëheq kjo strategji është dekarbonizimi. Po ashtu, ruajmë sigurinë energjetike, përballueshmërinë për konsumatorët, rritjen e energjisë së pastër dhe sigurojmë integrim rajonal të energjisë”, pati theksuar ajo para mediave.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke i bërë një vështrim Strategjisë së Energjisë, pati thënë se Strategjia e Energjisë 2022-2031, pritet të ofrojë siguri të furnizimi si për amvisëritë dhe për bizneset.

“Gjatë 20-vjetëve të fundit sektori i energjisë në vend nuk ka pasur asnjë vendim në të mirë të qytetarëve bazuar në analiza, studime dhe të dhëna faktike. Në duhet të ofrojmë siguri të furnizimit si për amvisëritë dhe për bizneset, në mënyrë që të kemi një zhvillim ekonomik e punësim në vend”, ishte shprehur Kurti gjatë prezantimit të Strategjisë Energjetike.

Sipas tij, përveç objektivave të lartëcekura, kjo strategji do të promovojë edhe bashkëpunimin rajonal.

“Strategjia e Energjisë 2022-2031 është e para në Kosovë që është duke u hartuar përmes proceseve demokratike e transparente e për këtë kemi marrë përsipër detyrën për identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që plani ynë të niset drejt dhe të divesifikoj miksin e energjisë. Do të ruaj sigurinë e furnizimit dhe do të promovoj bashkëpunimin rajonal, së pari me Shqipërinë e pastaj për vendet tjera. Kjo strategji do të ketë objektiva mjaftë ambicioze, drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit e do të përfshijë praktikat më të mira nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, kishte deklaruar Kurti.

Në fund të prezantimit të strategjisë, Kurti pati shtuar se skemat mbështetëse që parashihen në këtë dokument, do të na ndihmojnë të ulim çmimet për zhvillimin e energjisë së pastër në vend.

“Skemat mbështetëse konkurruese janë vetëm një shembull i mjeteve që do të na ndihmoj të ulim çmimet për zhvillimin e energjisë së pastër. Kjo do të siguroj që energjia elektrike do të jetë e qasshme dhe e përballueshme për qytetarët tonë. Do të krijojmë mekanizma mbështetës për familjet me të ardhura të ulta apo të mesme të cilat do të përfshijë programe sikurse përdorimi i paneleve solare”, kishte përfunduar Kurti. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/