TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) është një taksë që shteti pretendon ta marrë nga përfituesi i fundit të një shërbimi a produkti që e blen. Në shumicën e rasteve, këta përfitues të fundit, janë qytetarët.
TVSH-ja rregullohet me politikën fiskale të një shteti, dhe varësisht nga produktet/shërbimet, shteti vendos norma të ndryshme të TVSH-së. Kjo ndodhë me qëllimin për t’i përkrahur disa produkte/shërbime që mund të konsiderohen me rëndësi për shtetin dhe qytetarët (p.sh, produktet bujqësore, librat, etj.), ose për ti shtrenjtuar disa të tjera, që edhe mund të konsiderohen jo në të mirë të shtetit e qytetarëve (psh, duhani, alkooli, etj).
Në vendin tonë, çmimet e publikuara të shitjes zakonisht janë me vlerë të TVSH-së së përfshirë në të. Por ka vende të ndryshme, ku çmimi i shitjes (ta zëmë nëpër rafte) është pa TVSH. Në këto raste, TVSH-ja kalkulohet me normën e paracaktuar paraprakisht nga shteti, mbi çmimin e shitjes.
Normat e TVSH-së që aplikohen në Kosovë janë: 0%, 8% dhe 18%.
Ndërsa kalkulimi bëhet duke e pjestuar çmimin e shitjes me (varësisht nga norma): – 1.00, kur norma eshte 0%; – 1.08, kur norma është 8%; – 1.18, kur norma është 18%. Do të thotë, nëse çmimi i nje produkti është 2.00 Euro, dhe aplikohet norma prej 18%, atëherë çmimi i tij pa TVSH është: 2.00/1.18 = 1.69 euro.
Por, si vie deri të përcaktimi i vlerës së TVSH-së për një produkt?
SHEMBULL: Marrim një shembull shumë të thjeshtë: Një kompani vendore, importon nga një vend i jashtëm, nje produkt. Çmimi i blerjes nga furnitori i jashtëm është në vlerë prej 1,000 euro. Çmimi i transportimit të tij deri në Kosovë kushton 50 euro. Taksa për Doganë në këtë rast është 1,050 x 10% = 105 euro. Në total vlera e kostos për blerjen e atij produkti për kompaninë, në këtë rast është: 1,000 + 50 + 105 = 1,155 euro. Kompania ka nje markap prej 20%: 1,155 x 20% = 231 euro. Si përfundim, i bie se çmimi i shitjes së këtij produkti në treg, pa TVSH, është: 1,386 euro. TVSH-ja që përfituesi i këtij produkti do të duhet ta paguaj është në vlerën prej (konsiderojmë që ai produkt i nënshtrohet tatimit prej 18%): 1,386 x 18% = 249.48 euro. Çmimi përfundimtar, me të cilin një klient do ta blejë këtë produkt është në vlerë 1,635.48 euro.
FAKT: Kompanitë mund të jenë deklaruese ose jo të TVSH-së. Kompanitë janë deklaruese të TVSH-së në mënyrë vullnetare apo me rastin e plotësimit të kriterit të paracaktuar nga ATK, e që është qarkullimi vjetor mbi 30,000 euro. Në pasqyrat e kompanive, TVSH shfaqet në Bilancin e Gjendjes si aset apo detyrim afatshkurtër. Gjithashtu edhe në Pasqyrën e Lëvizjes së Parasë (CashFloë). Por ajo nuk paraqitet në Pasqyrën e të Ardhurave të Kompanise (Pasqyren e Suksesit).
Përgatiti: Kushtrim Morina
Konsulent Financiar