Çka janë bllok-tarifat?

Shpërfaqja e krizës energjetike në vend, ka nxitur institucionet përkatëse shtetërore të mendojnë më shumë për aplikimin e masave për racionalizimin e konsumit të rrymës, gjithandej ku ka mundësi.

Ndër masat që po mendohet nga zyrtarë dhe ekspertë të fushës dhe që ka zënë të trajtohet edhe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për menaxhimin e situatës për furnizim me energji elektrike është rikthimi i bllok-tarifave tek konsumatorët.

Reklama e sponzorizuar

Meqenëse këto ditë po përmendet goxha shpesh dhe në shumë mjedise termi bllok-tarifa, shumë konsumatorë kërkojnë shpjegimin se ç’është në të vërtetë bllok-tarifa.

Bllok-tarifat ishin pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë deri në vitin 2017, kur u larguan pas kërkesave të vazhdueshme të një pjese të shoqërisë civile, opozitës dhe konsumatorëve. Këto subjekte e kërkonin heqjen e bllok-tarifave me arsyetimin se me këtë formë tarifore shkelen të drejtat e njeriut, në këtë rast të drejta e konsumatorëve që kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike.

Nga këto kërkesa më 2017 u ndikua ZRRE-ja, dhe siç dihet i hoqi ato.

Bllok-tarifat parashihnin që kur një familje shpenzonte më shumë se 600 kWh energji në muaj, çmimi ishte më i lartë në krahasim me familjet që shpenzonin nën 600 dhe nën 300 kwh në muaj.

Bllok-tarifat aplikohen nga shumë vende në botë, pasi nxisin kursimin e energjisë elektrike nga konsumatorët për shkak të rregullit të thjeshtë: ai që shpenzon më pak rrymë, paguan më lirë çmimin e kilovatit të shpenzuar./Buletini Ekonomik/