Çmimet botërore të ushqimit, më të lartat në 10 vjet

Agjencia e ushqimit e Kombeve të Bashkuara tha të enjten se çmimet botërore të ushqimit shënuan rritje për 28 për qind vitin e kaluar dhe shkuan në nivelin më të lartë në një dekadë, duke shtuar se shpresa është e dobët për kushte më të qëndrueshme të tregut edhe për këtë vit.

Indeksi i çmimit të ushqimit i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, që i përcjell prodhimet më të tregtuara ushqimore në botë, ishte mesatarisht 125.7 pikë më 2021, niveli më i lartë që nga viti 2011, kur indeksi ishte 131.9, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Indeksi mujor shënoi rënie të lehtë në dhjetor, por më herët kishte shënuar rritje për katër muaj radhazi, duke i pasqyruar vështirësitë në të korra dhe kërkesën e fuqishme gjatë vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Çmimet më të larta të ushqimit kanë ndikuar në rritje më të gjerë të inflacionit në kohën kur ekonomitë po rimëkëmben nga kriza e pandemisë. Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë ka paralajmëruar se kostot më të larta po i rrezikojnë popullsitë më të varfra në shtetet e varura nga importi.

Në dhjetor, çmimet për të gjitha kategoritë në indeksin e ushqimeve shënuan rënie, përfshirë vajërat bimore dhe sheqerin, thuhet në përditësimin e të dhënave të kësaj agjencie.