Mikrofinancat në Kosovë fituan 6.3 milionë euro vetëm deri në prill

Euro

Vetëm për katër muaj, Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, kanë arritur të realizojnë fitim neto prej 6.3 milionë eurove.

Nga 4.1 milionë euro sa ishte profiti neto i tyre në muajin mars të këtij viti, gjatë muajit prill atyre iu shtuan edhe 2.2 milionë euro të tjera fitim, duke e çuar fitimin e përgjithshëm në 6.3 milionë euro për vetëm katëra muaj.

Bazuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Sistemit financiar, Informata mujore për muajin prill 2022”, të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 18.5 milionë euro gjatë kësaj periudhe, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Prej totalit të të hyrave, gjithsej 15.9 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi.

Në anën tjetër, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar gjatë muajit prill arritën vlerën e 11.9 milionë eurove. Nga kjo shumë e shpenzimeve, vetëm 2.6 milionë prej tyre ishin për shpenzime të interesit, kurse 7.7 milionë euro shkuan për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative.

Raporti poashtu specifikon se kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në muajin prill ishin në vlerë të 251.9 eurove, prej të cilave 164.1 milionë ishin për ekonomitë familjare ndërsa 87.8 milionë tjera për korporatat jofinanciare.

Sipas të dhënave të raportit, norma e interesit në kredi në këto institucione në prill, u shpreh në një përqindje prej 19 për qind, nga 18.9 për qind sa ishte në shkurt.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/