Kriza energjetike/ A do të vazhdojë marrëveshja mes Kosovës e Shqipërisë, flasin nga KEK-u

Më 28 dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e Shqipërisë vendosi që t’i japë Kosovës 7,680 megavatë energji elektrike për datën 31 dhjetor dhe 1 janar.

Kjo për shkak, që ta ndihmojnë shtetin fqinjë, pasi që i njëjti po përballej me krizë energjetike.

“Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës kemi arritur që të sigurojmë 3,600 megavatë për datën 31 dhjetor, dhe 4,080 megavatë orë për datën 1 janar”, kishte deklaruar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.

Reklama e sponzorizuar

Ajo kishte bërë të ditur se energjia do i jepet Kosovës në formën e depozitimit, pa asnjë efekt financiar, por që kjo sasi t’u kthehet në sezonin e verës.

Derisa reduktimet në vend ishin të mëdha, ku disa vende qëndronin me orë të tëra pa rrymë, Kosova me këtë marrëveshje arriti që të sigurojë energji të mjaftueshme.

E, ani pse u tha që kjo marrëveshje do të vlejë për dy ditë, tashmë kanë kaluar pesë ditë dhe vendi vazhdon të mos ketë reduktime.

Por, se a pritet që reduktime të ketë në ditët në vijim.

Për këtë, për FrontOnline kanë folur nga Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT.

Menaxherja për komunikim dhe relacione me publikun, Zana Bajrami-Rama, ka deklaruar se ende nuk kanë dhënë instruksione për kufizim të konsumit të energjisë elektrike në vend.

“Si rezultat i sigurimit të energjisë elektrike të nevojshme për të mbuluar konsumin nga operatorët përgjegjës në treg, nga data 30 dhjetor 2021, për qëllime të balancimit të sistemit KOSTT nuk ka dhënë instruksione për kufizim të konsumit”, është shprehur ajo për FrontOnline.

Por, nuk e ka përjashtuar që kjo mund të ndryshojë nga dita në ditë.

“Programet e kufizimit të konsumit mund të dallojnë nga dita në ditë në varësi nga ngarkesa dhe sigurimi i energjisë elektrike për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg KESCO/KEDS dhe KEK”, ka thënë ajo.

Ndërsa, të pyetur se a do të vazhdojë marrëveshja me Shqipërinë për një periudhë më të gjatë për sigurim të energjisë elektrike, ajo ka thënë që për këtë t’i drejtohemi KEK-ut.

E, nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), nuk kanë dhënë detaje se a do të ketë marrëveshje në mënyrë që Shqipëria t’i sigurojë Kosovës energji në këtë kohë e pastaj Kosova t’ia rikthejë në sezonin e verës.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, shumë shkurt ka thënë se Kosova dhe Shqipëria shkëmbejnë energji elektrike kurdo që kanë nevojë.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) sipas praktikave të mëhershme dhe marrëveshjeve reciproke kurdo që kanë nevojë shkëmbejnë energji elektrike, pra KEK u dhe  KESH-i varësisht prej nevojave të njëra tjetrës shkëmbejnë energji elektrike 1 :1”, ka deklaruar Bucolli, për FrontOnline.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se do të shikojnë mundësitë dhe nëse është e mundur do të ndihmonjë sërish Kosovën, rreth sigurimit të energjisë elektrike.

Gjatë ditës së djeshme, ka filluar shtrenjtimi i energjisë elektrike në bursë.

Kjo gjë do të ndikojë keq në Kosovë, për faktin e mungesës së prodhimit vendor të energjisë elektrike.

Çmimi i një megavati energji elektrike, sipas bursës hungareze të energjisë elektrike, më 1 janar 2022 ka qenë 83 euro, përderisa çmimi i saj sot është dyfishuar, duke arritur në mbi 166 euro euro për megavat.

Kosova do të detyrohet të importojë sasi të mëdha të energjisë elektrike së paku edhe gjatë dy javëve të ardhshme, derisa ta kthehet në prodhim edhe një bllok i Termocentralit Kosova B, për të cilin ka disa ditë që po punon një ekspert gjerman.

Më 29 dhjetor Kuvendi i Kosovës ka shpallë gjendje emergjente të furnizimit me energji.