Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Në këtë konferencë, kryeministri Kurti tha se do të hapin ankandet e para për ndërtimin e kapaciteteve të reja të pastra të energjisë në vend.
Sipas tij, në Kosovë që nga viti 2005 është përfolur për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, ndonëse siç thotë ai sikur të ishte filluar më kohë fillimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja apo edhe rindërtimi i ‘Kosovës A’, sot nuk do të kishte fare nevojë për import të energjisë.
“Në raste të rralla në këto vitet e pasluftës kur investitorët serioz përkundër imazhit që kemi përçuar dikur, kanë vendosur të vijnë në Kosovë, ata janë ballafaquar me kërkesa joligjore nga personat që në fakt do të duhej të lehtësonin procesin”, ka thënë Kurti në konferencë.
Ai poashtu shtoi se trajtimi i KEK-ut si një ndërmarrje kalimtare, e jo si një aset i rëndesisë më të lartë strategjike në Kosovë e ka lënë burimin kryesor të energjisë në Kosovë në një situatë të mjerueshme.
Poashtu edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se subvencionimi prej 75 milionë eurove ishte zgjidhja më e mirë që mund të bëhej momentalisht për qytetarët.
Sipas saj, ky subvencionimi do të zbusë dukshëm rritjen e tarifave të propozuara nga ZRRE-ja.
“ZRRE ka marrë një vendim nën presion politik në vitin 2021, duke hequr bllok tarifën. Vendimi i ZRRE nuk është final, por është në diskutim publik. Ne mund t’iu kërkojmë ndryshime. Kostot e importit dhe sektorit janë rritur shumë. Subvencionimi është i nevojshëm në këto rrethana. Për konsumatorët që harxhojnë nën 600 kËh çmimi do të mbetet i njëjtë, ata që harxhojnë mbi 600 kËh, subvencionimi do të zbusë dukshëm rritjen tarifore. Tarifa e lartë do të bëhet nga 0.21 në 0.14 cent, ndërsa tarifa e ultë nga 0.09 në 0.06”, ka përfunduar ajo./Buletini Ekonomik/